SHPËRNDAJE

Pesidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se protesta e thirrur kundër tij nga Lëvizja Vetëvendosje, është kryekëput kundër kërkesës së shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën, raporton “Zëri.info”.

Gjatë një konference për media, kreu i shtetit e ka cilësuar si të drejtë qytetare protestën që do të mbahet nesër, porse ka thënë se ai mbetet “pro” bashkimit të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën.

“Unë respektoj shumë të drejtën qytetare të kujtdo qoftë, për protestë, për ballafaqime. Më vjen mirë që ka ndodhur një përmirësim, që partia që ka thirrur protestën ka kërkuar leje prej institucioneve, që i bie se e njeh shtetin e Kosovës. Unë mbështes vetëm kërkesën legjitime të shqiptarëve të Luginës për bashkëngjitje me Kosovën, njohjen reciproke dhe demarkimin e plotë të kufirit. Në fund qytetarët e Kosovës përmes referendumit ta vulosin këtë marrëveshje, pastaj edhe kuvendi”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht kësaj, Thaçi ka ripërsëritur prapë se mbetet kundër ndarjes së territorit të Kosovës.

“Kategorikisht jam kundër ndarjes, shkëmbimit dhe Asociacionit me elemente ekzekutive. Protesta politike mund të organizojë secili. E mbështes fuqishëm kërkesën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Por thirrjet për protestë, për mua nënkuptojnë  protestë kundër bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Protesta kundër Thaçit është kundër kërkesës së Luginës për bashkim me Kosovën”, nënvizoi Thaçi