SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se në takimin i liderëve të Ballkanit Perëndimor ka vlerësuar se rajoni ka pasur sukses solid. Megjithatë, pas takimit, Thaçi ka thënë se aty ka adresuar edhe çështjen e mos liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, gjë e cila sipas tij, ka shkaktuar dëshpërim të madh në Kosovë. Do të punojmë që të sqarohet ky proces, Kosova ka kryer obligimet e veta, shtetet anëtare duhet të marrin vendimin.

Besoj se në javët, muajt e ardhshëm të merret ky vendim”, ka thënë Thaçi, përcjell Telegrafi. Sa i përket raporteve fqinjësore, Thaçi ka përmendur faktin se Kosova, përveçse me Shqipërinë, ka krijuar marrëdhënie të shkëlqyeshme me fqinjët si Mali i Zi e Maqedonia. “Ndërsa sa i përket marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, të gjithë liderët mbështesin një marrëveshje të tillë, duke konkluduar se një marrëveshje do të krijonte stabilitet dhe një perspektivë evropiane. Do të punojmë që në muajt e ardhshëm në arritjen e kësaj marrëveshje”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Nëse ka pasur hezitime para pak muajsh, sot të gjithë janë unik për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjen e marrëveshjes. Realisht unë shpresoj dhe besoj se marrëveshja mund të arrihet në të ardhmen e afërt. Ky mobilizim i faktorit ndërkombëtar është një mesazh më i mirë”, ka thënë Thaçi duke aluduar edhe në letrën që ka marrë nga presidenti amerikan, Donald Trump. “Prandaj letra e presidentit Trump është shpresë dhe besim për institucionet e vendit, është zëri i Amerikës, mbështetja e plotë dhe unike e SHBA-së për Kosovën dhe rajonin.

Nëse dikush ka pasur hezitime për rolin e SHBA-së, kjo tregon se ata janë të përfshirë në proces për arritjen e marrëveshjes”, ka thënë Thaçi. Ndërsa në pyetjen nëse është diskutuar rreth vendosjes së taksës për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, Thaçi është përgjigjur: “Kemi diskutuar për të gjitha çështjet, për problematikat aktuale do të mundohemi që t’i tejkalojmë dhe të hapim mundësinë për angazhime të ardhme, për të mos e kushtëzuar njëra-tjetrën”.