SHPËRNDAJE

Debati rreth unitetit të liderëve politikë të Luginës i cili filloi me problemin e lapidarit në Preshevë dhe vijoi paralelisht me dështimet e njëpasnjëshme të kryetarit të komunës së Preshevës z.Ragmi Mustafa, siç po shihet i erdhi fundi. Ky moment në fakt vetëm dëshmon se një unitet nuk ka ekzistuar kurrë por është prezantuar i tillë gjatë paraqitjeve të udhëheqësve të partive shqiptare që veprojne në Luginë, e që gjatë krizave politike interpretohej përmes deklaratave nga grupi i unitetit, i cili përbëhej nga të gjithë kryetarët e partive shqiptare të regjistruara në Republikën e Serbisë.

Momenti i shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në Serbi sjellë edhe takimin e parë mes të gjithë liderëve shqiptarë nga Lugina dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z.Dimitri Bushati, i cili derisa po ndëgjonte njërin nga delegacioni i Luginës duke e shpjeguar tregimin e Skenderbeut dhe thuprrave të titulluar “Bashkimi bën fuqinë” haptas dhe në mënyrë shumë të qartë kërkoi që grupi i unitetit të shndërrohet në listën zgjedhore shqiptare në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke përjashtuar kategorikisht mospjesëmarrjen.

Me shpalljen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme në Serbi dhe kompleksivitetin shumëvjeçarë rreth pjesëmarrjes së Luginasve në këto zgjedhje vihet në sprovë uniteti i faktorit politik shqiptarë në Luginë. Ndoshta kryetari i Preshevës dhe Bujanocit të cilët njihen si ithtarë të teorisë së bojkotit dhe destruktivitetit nuk do të shkonin në takim po të dinin se do të kërkohej ky lloj uniteti por tani më ishte vonë.

Një pjesë e madhe e qytetarëve të informuar se Shqipëria si shteti amë i të gjithë shqiptarëve kërkon pjesëmarrjen e partive politike shqiptare të Luginës në zgjedhjet parlamentare përmes një liste të përbashkët po pret vendimin e thuprrave por edhe më tutje besojnë se kto thuprrat tona nuk janë si ato të Skënderbeut. Këto thuprra nuk mund të bëhen bashkë nëse nuk është në pyetje ndonjë gaf i kryetarit të komunës së Preshevës. Skepticizmi për bashkëpunimin e partive politike mes veti moti kohë udhëheq kundrejt optimizmit. 

Ditët po ecin, zgjedhjet po afrohen, afatet e ministrit Bushati janë anashkaluar, derisa me iniciativat e kryetarit të komunës së Preshevës dhe Bujanocit po organizohen takimet e ngjeshura konsultative rreth modalitetit për bashkimin e thuprrave të Luginës, e që në mënyrën më të papërgjegjshme të mundshme nga ana e po atyre po neglizhohet vendimi.

Është e kuptueshme se pas një vonese të pa nevojshme nuk do të kemi ndonjë risi në drejtim të vetëdijësimit politik, por edhe më tutje do të mbetemi në po të njejtin vend, në të cilin jemi duke qëndruar për 10 vjet, duke na udhëhequr politika të intereseve të ngushta dhe provinciale dhe e cila nëse nuk fiton poena politik, nuk njeh as unitet, e as SHQIPËRI!

Shkruan: Abdulla Ahmedi

(Autori është aktivist i sektorit joqeveritar në Luginë).