SHPËRNDAJE

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj është e ftuara e radhës nga Gjykata Speciale.

Lajmin e ka konfirmuar vetë deputetja .

“Jam kontaktuar nga Gjykata Speciale, ftesën do ta marrë këtyre ditëve”, tha shkurtimisht ajo.

Theksojmë se Gjykata Speciale ka intervistuar edhe kryeministrin në dorëheqje njëherësh kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Nga Gjykata Speciale deri më tash kanë ardhur mbi 70 ftesa për intervistim. I pari që pati konfirmuar pranimin e ftesës nga prokurori i specializuar është Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit.

Pas Mustafës pasuan edhe ftesat e reja nga Specialja.

U ftua ish-udhëheqësi i Gjykatës së UÇK-së Sokol Dobruna, ish-ushtari i UÇK-së nga Zona Operative e Pashtrikut Safet Syla, ish-eprori i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut Sabahajdin Cena, Nazif Mehmeti, i njohur si komandant “Dini”, Remzi Shala, ish-komandant i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut, i njohur me pseudonimin “Molla e Kuqe”, Sami Lushtaku, ish-komandant i UÇK-së, Mendim Daka, njëri prej ish- udhëheqësve të Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ish-pjesëtari i UÇK-së Blerim Kuçi, ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj, ish-komandanti i UÇK-së nga Zona Operative e Nerodimes, Shukri Buja, ish-zëvendëskomandanti i “Brigadës 128” i Zonës Operative të Pashtrikut, Avdi Ibrahimi, ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.