SHPËRNDAJE

Më 16 janar, katër parti politike shqiptare në Luginën e Preshevës, janë marrë vesh që në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të cilat pritet të mbahen në pranverën e këtij viti, të dalin me listë të unifikuar zgjedhore. Lehtësimin e kësaj marrëveshje e ka bërë ministri i jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj. Marrëveshjen e ka përshëndetur edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Dushan Janjiq tha përRadion Evropa e Lirë, se në këtë rast, autoritetet e Shqipërisë dhe me theks të veçantë, kryeministri Edi Rama, po sillen si patron të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ndërkohë që Kosova aktualisht është shmangur nga ndikimi aty. Kjo situatë, sipas tij, i konvenon Beogradit zyrtar.

“Nuk ka dyshim që Beogradi, në mënyrë të drejtpërdrejtë po e shfrytëzon këtë situatë, sepse për të është shumë më e lehtë që të bisedojë me Tiranën se sa me Kosovën, sepse këtë të fundit nuk e njeh. Beogradi po e shfrytëzon këtë situatë që të legjitimojë si demokratike politikën e saj të ardhshme ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por edhe t’i dobësojë argumentet e Kosovës në bisedimet e ardhshme për statusin. Beogradi po e forcon pozitën e Serbisë për bisedimet për statusin”.

“Ndërkaq, Beogradi po monopolizon kontrollin e tij ndaj serbëve në gjithë rajonin”, tha Janjiq. Ai shtoi se kjo politikë e Beogradit ka dalë në pah që nga viti 2012 dhe është sforcuar deri më sot.

Por, Lisen Bashkurti shpreh mendimin që interesimi i veçantë i Tiranës për shqiptarët e Luginës së Preshevës në kohët e fundit, nuk nënkupton anashkalimin e Kosovës, ndonëse, sipas tij, kjo mund të interpretohet edhe në atë mënyrë.

“Nuk mendoj se është një tendencë për anashkalimin e Kosovës. Ajo që mund të bjerë në sy dhe që është shumë për t’u kritikuar, është fakti që Tirana dhe Prishtina nuk kanë një bashkëpunim të dukshëm, efikas dhe konkret, si dhe nuk kanë plane të njohura strategjike zhvillimi”.

“Mbështetje ekonomike dhe sociale për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Më shumë se sa një lloj anashkalimi i Kosovës, kjo ka ardhur për shkak të mos koordinimit dhe mos bashkëpunimit të duhur dhe të mjaftueshëm të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”, vlerësoi Bashkurti.

Naim Rashiti, shpreh mendimin se Tirana zyrtare duhet të jetë shumë e kujdesshme në veprimet e saj në raport me Kosovën dhe shqiptarët në Luginën e Preshevës. Sipas tij, situata e tanishme është mjaft delikate dhe lë shumë pak vend për angazhimin e Tiranës në trekëndëshin e raporteve Serbi – Kosovë dhe Luginë e Preshevës.
“Ky është problem i shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve që jetojnë për rreth Kosovës me Beogradin. Një farë forme, një lloj qasje politike, një zgjidhje përfundimtare në mes Prishtinës dhe Beogradit, do të duhej të zgjidhte edhe çështjen e serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës (së Preshevës), në kuadër të një pajtimi dhe të një marrëveshje për paqe të qëndrueshme. Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv një kohë të gjatë te shqiptarët e Malit të Zi dhe aty do të duhej të fokusohej dhe të mos zgjerohej më shumë.

“Çështja e serbëve të Kosovës dhe çështja e shqiptarëve të Luginës është çështje e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë”, tha Rashiti.

Ai ka shtuar se që nga viti 2014, ka nisur ideja që Shqipëria dhe Serbia mund të bëhen si Franca dhe Gjermania, në kuptimin e tejkalimit të armiqësive dhe pajtimit ndërmjet popujve, si dhe për të zgjidhur të gjitha problemet e Ballkanit Perëndimor.

Por, siç tha Rashiti, kjo qasje ishte e gabuar për shkak se problemet e Serbisë nuk janë vetëm me shqiptarët e Kosovës, por edhe me boshnjakët në Bosnjë e Hercegovinë dhe së fundmi edhe me Malin e Zi. Sipas tij, problemet duhet zgjidhur vetëm ndërmjet palëve, të cilat janë të prekura nga kontestet e caktuara. /REL/