SHPËRNDAJE

Me javë të tëra në Stacionet Shëndetësore Nesalcë, Konçul dhe Bilaç të komunës së Bujanocit nuk janë duke u kryer kontrollat mjekësore në mungesë të mjekëve. Këtë e ka konfirmuar drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc, Lela Obradoviç. Banorët e vendbanimeve të lartpërmendura, disa herë janë ankuar në adresë të Presheva.com duke kërkuar që të gjendet një zgjidhje në këtë drejtim, sepse kushtet atmosferike ditëve të fundit kanë rritur edhe numrin e të sëmurve me gripe sezonale dhe mungesa e mjekëve në ambulantat e këtyre vendbanimeve po e vështirëson edhe më shumë këtë gjë.

Drejtoresha Obradoviç në deklaratën telefonike është shprehur se, “është e vërtetë që ka ndërprerje të punës në këto vendbanime, por shkaku është mungesa e mjekëve dhe jemi munduar që të paktën dy ditë në javë të shkojnë mjekët në këto vendbanime për kontrolla, varësisht nga oraret e lira që kanë patur” ka thënë Obradoviç. Ajo gjithashtu ka theksuar se, jemi në pritje të shpalljes së konkursit nga ana e pushtetit lokal për të punësuar mjekë dhe teknik medicinal, dhe pastaj do të ketë mjekë të rregullt në këto vendbanime.

Në mbledhjen e Këshillit Komunal të Bujanocit të mbajtur të martën më 15 janarë, anëtarët e Këshillit Komunal kanë aprovuar propozimin për shpalljen e konkursit për pranimin e mjekëve dhe teknikëve në kohë të caktuar në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc të cilët do të financohen nga buxheti komunal. Sipas kryetarit të komunës Shaip Kamberi, Shtëpia e Shëndetit ka nevojë për angazhimin e disa mjekëve, motrave medicinale dhe dy vozitësve, dhe në mungesë të financimit nga Ministria e Shëndetësisë ka disa vite që komuna e Bujanocit i financon me qëllim që në stacionet shëndetësore në teren të ketë mjekë.

Si do që të jetë edhe për një kohë të caktuar, në këto vendbanime nuk do të ketë mjekë të rregullt ngase procedura e shpalljes, pranimit të mjekëve dhe mbylljes së konkursit mund të zgjasë edhe për më shumë se një javë dhe banorët e Nesalcës, Bilaçit dhe Konçulit edhe më tejë do të duhet ti drejtohen ambulantave më të afërta, ose Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc./presheva.com/