SHPËRNDAJE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e paralajmëroi presidentin e Iranit, Hassan Rohani, që “kurrë të mos e kërcënojë SHBA-në”, në të kundërtën, shtoi Trump, ai do të përballet me pasoja që pak kush në histori i ka vuajtur më parë”. Trump i bëri këto komente në Twitter, pak orë pasi Rohani e paralajmëroi Trumpin kundër ndjekjes së politikave armiqësore ndaj Teheranit.

“Amerika duhet ta dijë se paqja me Iranin është nëna e gjithë paqes dhe lufta me Iranin është nëna e të gjitha luftërave”, citoi agjencia iraniane e lajmeve Rohanin.

Administrata e Shteteve të Bashkuara është duke bërë presion mbi Teheranin qëkur Trump, në muajin maj, e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe rivendosi sanksione kundër Iranit. Marrëveshja me gjashtë fuqi botërore i dha Iranit lehtësim nga sanksionet, në këmbim të kufizimit të programit të tij bërthamor.