SHPËRNDAJE

Në lokalet e Bibliotekës së Qytetit “Mehmet Jusufi” në Preshevë, në prani të familjarëve, miqve krijues, u mbajt Akademia Përkujtimore për poetin e ndjerë Demush Berisha.
Kjo Akademi u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit “Mehmet Jusufi” në Preshevë.

Këtë Akademi e udhëhoqi kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks” Bilall Maliqi, i cili pasi kërkoi një minut heshtje për poetin e ndjerë, lexoi biografinë dhe krijimtarinë letrare të Demush Berishës.

Pas çdo fjalimi pati deklamime poezish nga libri i Demush Berishës, të cilat i deklamuan: Linda Agushi, Marigona Fejzullahu dhe Ramize Halimi, pati edhe një poezi dedikuese për Demush Berishën nga poetja gjilanase Nazmije Hasani.

Në emër të drejtorit të bibliotekës të pranishmit i përshëndeti me një fjalë rasti z. Hasan Hasani, përgjegjës i bibliotekës dhe i dha mirënjohje për kontribut pas vdekjes poetit Demush Berisha.

Drejtori i Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë, z. Valon Nuhiu, i shprehi ngushëllime familjes Berisha në emër të institucionit të cilin e drejton.

Ndërsa pati edhe evokime kujtimesh dhe diskutime nga : Rexhep Abazi zv/ kryetar i Shoqatës, Xhemaledin Salihu, kryetar i SHTKK, Hysen Këqiku, Avni Shaqiri, Halim Hasani, nënkryetar i Shoqatës dhe Nehat Ramizi.

Në fund para të pranishmëve, në emër të familjes, me një fjalë përshëndetëse u paraqit z. Metush Berisha, i cili i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë Akademi për vëllain e tij dhe foli në pika të shkurtra për të ndjerin Demush Berisha.

Vlen të theksohet se Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” e nderon me titullin anëtar nderi poetin Demush Berisha, pas vdekjes.

Mirënjohjen e pranoi vëllai i tij z. Metush Berisha…/presheva.com/