SHPËRNDAJE

Në Pallatin e Kulturës në Bujanoc

Sot, në Pallatin e Kulturës në Bujanoc, nën organizimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, të drejtuar nga Sevdail Hyseni, u bë promovimi i librit “Alfabeti i mileniumit të ri”, të autorit nga Tërnoci, Arif Osmani.

Në këtë eveniment të lartë kulturor, merrnin pjesë përfaqësues nga jeta kulturore e rajonit të Preshevës, drejtues të shoqërisë civile dhe veprimtarë nga diaspora.

Promovimi i librit shkencor, filloi me recitimin e poezisë së Gjergj Fishtës, nga aktori Nagip Taipi, pastaj talentete e reja nga Akademi “Stoa”, Xheneta e Mabejna Salihu dhe Xheneta Sabedini, lexuan vargje nga Ndre Mjeda, Hil Mosi e Naim Frashëri, kushtuar gjuhës shqipe.

Në vazhdim për rolin dhe rëndësinë e librit epoka l“Alfabeti i mileniumit të ri”, të Arif Osmanit, diskutoi Sevdail Hyseni, drejtues i BKSH “Perspektiva”.

“Historia e gjuhës shqipe s’ka se si të mos lidhet edhe me alfabetin e gjuhës. Shqiptarët si komb e shoqëri, i ka shoqëruar problematika e alfabetit, para Kongresit të Manastirit të vitit 1908, i njohur si Kongresi i Alfabetit. Përpjekjet për ta ngjallur frymën e alfabetit shqip, nuk kanë pushuar kurrë. Në këtë rrugë rol të madh do të kishin integrimet kulturore brendashqiptare, pa përfillur kufijtë politikë, që na kanë ndarë edhe copëtuar gjithmonë”, theksoi mes tjerash në këtë promovim z. Hyseni.

Gjithashtu, në këtë promovim, u tha se “Para 40 vjetësh në Tërnoc të Bujanocit, autorin Arif Osmani e mundonte një problem, i cili ka qarkulluar me vite ndër shqiptarët. Pse shqiptarët nuk kanë alfabet të tyre?! Arif Osmani, arriti  ta konkretizoj një ide të tillë. Atij iu deshën plot 40 vjet ta përpiloj një alfabet, origjinal shqiptar, me të cilin do të krenoheshin gjithë ata që flasin shqip. Ky alfabet sipas Arif Osmanit, nuk është as latin e as arab, por thjesht shqip”, tha Mevlude Abdullahu, kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve “Faik Konica” nga Kosova Lindore.
“Duke lexuar librin “Alfabeti i mileniumit të ri”, të Arif Osmani, kemi përshtypjen se autori pati një guxim kur i hyri punës për ta shkruar alfabetin shqip, duke sfiduar albanologët shqiptarë dhe ata të huaj. Titulli i librit është shumë i qëlluar. Fat për librin, fat për autorin, fat për realitetin tonë, për njerëzit tanë, të cilët që nga Kongresi i Manastirit 1908 e këndej, jo më pak se 106 vjet, janë mësuar me një alfabet, me shkronja latine e tashti do ta kenë me shkronja shqipe një e arritur e madhe shkencore’, theksoi profesori i gjuhës shqipe Begzad Abdullahu.
Këtë promovim të librit e përshëndeti edhe Myftiu i Luginës së Preshevës Nexhmedin ef Saqipi, i e përgëzoi autorin për këtë shpikje epokale, për Alfabetin e tij, i cili është më i mirë se alfabetet, madje të kombeve edhe më të mëdha dhe kërkoi, që ky libër me vlera të larta shkencore e gjuhësore të promovohet edhe nëpër qendra të tjera të Kosovës, Shqipërisë e diasporës.
Autori i librit “Alfabeti i mileniumit të ri”, Arif Osmani, falënderoi shoqërinë civile “Perspektiva” dhe gjithë ata që e ndihmuan në botimin e kësaj vepre e cila krijuar, është shpikur për popullin shqiptar, që, ai, ta ketë një alfabet të pastër shqip, të bazuar në germa shqipe e jo si ata të mëparshmit me alfabet latin, italian, grek e arab.
Në fund, për nder të pjesëmarrësve të këtij promovimi, u shtrua një koktej rasti, njofton jehonapress.