SHPËRNDAJE

Lugina
Domosdoshmëria e veprimit të përbashkët në interes të çështjeve të përbashkëta, nuk duhet të shihet si luks, por si domosdoshmëri e kohës. E, faktori politik në Luginë, ai shqiptar, i cili përmes subjekteve të veta politike jozyrtarisht ka filluar fushatën, duhet ta ketë të qartë se brenda veprimit lokal, aty ku nuk paraqitet rrezik për substancën shqiptare edhe mund të veprohet ndaras, pra me programe e orientime të veta politike; por në çështjet tejet të rëndësishme për shqiptarët duhet që të ulen e të nxjerrin një platformë të përbashkët, e cila, para se gjithash, ka interesin e shqiptarëve dhe zgjidhjen e problemeve të shumta në këtë pjesë.

Data e zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare po afrohet, kurse qartësia e veprimit të faktorit politik në Luginë, në interes të shqiptarëve, vetëm sa po largohet. Nevoja për qartësim të veprimeve konkrete në lidhje me zgjedhjet, sidomos, ato parlamentare dhe, sigurisht, bashkëveprimi i të gjithë partive politike shqiptare është i domosdoshëm në këtë moment, ngase rruga e Serbisë drejt BE-së sa vjen e shkurtohet. E, sa më afër BE-së, aq më i shtrënguar je që t’i zbatosh kriteret e vëna nga kjo e fundit.

Sintetizimi dhe veprimi i përbashkët në raport me zgjedhjet parlamentare duhet të jetë agjendë e secilës parti shqiptare, pasi që zëri i përbashkët i liderëve shqiptarë, në cilëndo rrethanë, është më i fuqishëm e, si rezultat, edhe më i reskeptueshëm. Pavarësisht hapësirës së vogël dhe qasjes së Beogradit zyrtar në lidhje me përfaqësuesit e gjertanishëm në Parlamentin e Serbisë, bashkëveprimi i faktorit politik në Luginë, në lidhje me përfaqësimin apo mospërfaqësimin e shqiptarëve në këtë institucion, do të këtë efekt ndryshe. Edhe në rast bojkotimit apo pjesëmarrjes, por me veprim të përbashkët të subjekteve politike, efekti dhe serioziteti do të jetë ndryshe. Prandaj, sintetizimi dhe domosdoshmëria për bashkëveprim është me rëndësi të veçantë për shqiptarët e Luginës.
Në këtë moment të rëndësishëm, e që duhet të shfrytëzohet mençurish e bashkërisht nga liderët politikë në Luginë, ndihmë dhe rëndësi vendimtare luan edhe faktori politik shqiptar në rajon. Pra, ai në Kosovë dhe ai në Shqipëri. Këshillat dhe qëndrimet e tyre duhet të shihen me seriozitet në interes të përbashkët, e jo shpalosja e fotografive me ta nëpër zyra mbas orarit të punës. Situata në Luginë ka nevojë që ndryshimet t’i bëjë realitet, e jo fotografitë e realitetit të pandryshueshëm t’ia ofrojmë qytetarëve si mundësi të ndryshimit.

Mosserioziteti në bashkëveprim politik të liderëve në Luginë, viteve të fundit, sidomos, pas vitit 2001, në raport me zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve ka dhënë efektin e një realiteti të mjerueshëm. Andaj, është koha e bashkëveprimit politik në dobi të shqiptarëve, për mos ta mbuluar qasjen e Beogradit zyrtar edhe me paaftësinë tonë si shoqëri e si shqiptar. Sintetizimi dhe domosdoshmëria, dëgjueshmëria e këshillave nga Kosova dhe Shqipëria, bashkëpunimi më faktorin ndërkombëtar dhe ulja me këmbë në tokë në një realitet që s’do shumë për ta kuptuar, duhet të shihen si obligime nga liderët e Luginës në përmbushjen e interesave të shqiptarëve. Në rast s’e nuk munden, të paktën, të hapin rrugë për figura të reja, e të cilat janë në numër të madh në Luginë.

Bashkëpunimi për zgjedhjet parlamentar s’është luks, po domosdoshmëri. E, kush e sheh luks politik, s’e ka pa realitetin që domosdoshmërish duhet të ndryshojë apo, ndoshta, nga luksi i tepërt nuk arrijnë ta shohin. E, fatkeqësisht, numri i tyre nuk është i vogël në kuptimin e pamundësive që po shkaktojnë!!!
Koha është për arsyeje, jo për rrahagjoksi.

Shkruan: Fatlum Q. Hetemi