SHPËRNDAJE

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dhe Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk po merren vesh mes vete për shpallen e konkursit për pranimin e studentëve të rinj për vitin e ri akademik në një ditë të caktuar.
Përderisa MAShT gjatë ditës së enjte ka shpallur konkursin për pranimin e studentëve të rinj, këtë gjë pritet ta bëjë sot Senati i UP-së në mbledhjen e rregullt të saj.

Ministria e Arsimit përmes një njoftimi gjatë ditës se enjte kishte shpallur konkurs për pranimin e 15 mijë e 225 studentëve të rinj në universitetet publike në Kosovë.

“Numri i studentëve që do të pranohen në shtatë universitetet publike të vendit për vitin akademik 2017/2018 është 15.255. MAShT njofton të gjithë kandidatët e interesuar për studime në universitetet publike se prej nesër do të fillojnë të hapen konkurset për pranim në universitetet në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj”, thuhet në njoftimin e MAShT.

Pas shpalljes së këtij konkursi, kishin reaguar përfaqësues të Rektoratit duke thënë se UP-ja nuk ka shpallur konkurs dhe se nuk kanë asnjë vendim me shkrim të pranuar nga MAShT.

“UP nuk ka pasur si të shpallë konkurs përderisa nuk ka pranuar kurrfarë vendimi zyrtar nga MAShT në lidhje me aprovimin e propozimeve për numrin e studentëve që do të regjistrohen në nivelin Bachelor për vitin akademik 2017/18”, pati thënë Kelmendi për KALLXO.com.

Kështu që vetëm një ditë më pas, Rektorati ka marrë vendim që në mbledhjen e rregullt të vendosë për shpalljen e konkursit për pranimin e studentëve të rinj në vitin për këtë vit.

“Marrja e vendimit për miratimin e kushteve dhe për shpalljen e konkursit për regjistrimin e studentëve të ri në vitin akademik 2017/2018”, thuhet rendin e ditës së Senatit për ditën e sotme.

Po ashtu, në këtë mbledhje, Senati pritet të vendosë edhe për angazhimin e tre profesorëve `vizitorë nga Universiteti i Lubjanës për nivelin e doktoratës në Fakultetin e Edukimit.

Senati pritet edhe ta shqyrtojë edhe miratimin e Rregullores për angazhim për bashkëpunëtorët e jashtëm në UP.