SHPËRNDAJE

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, i ka qetësuar tifozët duke thënë se lëndimi i Lionel Messit nuk është aq serioz.

Kapiteni i Blaugranëve e nisi ndeshjen ndaj Villarrealit nga minuta e parë, që shënonte edhe startin e parë këtë sezon, meqë kishte pasur problem me lëndim më herët.

Mirëpo, ai u detyrua ta lëshonte fushën në fund të pjesës së parë, ndërsa Valverde ka thënë se zëvendësimi ishte si masë paraprake për të mos u lënduar më shumë.

“Është e kuptueshme se kur lëndohet Messi, të gjithë interesohen. Megjithatë, nuk duket si lëndim serioz”.

“Ai ka pësuar një tendosje të muskulit aduktor, mirëpo është nxjerrë nga loja vetëm për të parandaluar (ndonjë lëndim më të rëndë)”, ka theksuar trajneri.

Ai ka thënë se Messi do të ekzaminohet në detaje nga stafi mjekësor i klubit dhe pret që të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës ndaj Getafes.