SHPËRNDAJE

Hapësira tek Manastiri i Deçanit vazhdon të jetë çështje mospajtimesh në mes të përfaqësuesve të manastirit dhe Komunës së Deçanit për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila i njeh manastirit të drejtën e pronës mbi 23 hektarë tokë.

Drejtuesit e Komunës së Deçanit, thonë se këto prona janë të dy ndërmarrjeve publike dhe se gjykata ka fuqizuar një marrëveshje të vitit 1997, kur administrata serbe i kishte kaluar në pronësi të manastirit ato toka.

“Për ne kjo është çështje e sundimit të ligjit dhe gjykata më e lartë e Kosovës dhe gjithashtu pas kësaj edhe gjykata Kushtetuese kanë konfirmuar vendimin se 24 hektarë e tokës që ka qenë në kontest për gati 16 vjet i është njohur dhe dhënë si pronë e Manastirit të Deçanit. Ky është vendimi përfundimtar ashtu siç është thënë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që nuk mund të ndryshohet dhe duhet të zbatohet”,thotë përfaqësuesi i Manastirit mesjetar të Deçanit, Igumeni, Sava Janjiq.

“Gjykata Kushtetuese, vlerësoj se ka bërë vendimin më absurd që ndonjë gjykatë Kushtetuese kishte mundur ta marr, duke e vlerësuar si të drejtë edhe vendimin e 1992 dhe 1997 të parlamentit dhe Republikës së Serbisë e që fatkeqësisht ka ndodhur në vitin 2016”,thotë kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe i njëjti nuk mund të kthehet prapa ndërsa e detyron Komunën e Deçanit që t’i kryej procedurat për njohjen e pronës në emër të Manastirit të Deçanit.

Ramosaj thotë se, në vitin 1992 me vendim të pushtetit serb, ndërmarrja hoteliere “Iliria” i kishte dhuruar 12 hektarë tokë Manastirit të Deçanit ndërsa në nëntor të vitit 1997, pushteti serb ia kaloi edhe 12 hektarë tjerë që ishin pronë e bletarisë. Ai thotë se tokat u takojnë këtyre dy ndërmarrjeve publike të kësaj komune të cilat sipas tij janë marrë nga pushteti i atëhershëm i Serbisë.

“Qytetarët e Deçanit nuk janë njerëz që kanë ndonjë hakmarrje në shpirtin e tyre, qytetarët e Deçanit janë të interesuar të jetojnë në harmoni me çdokënd që jeton në këtë komunë, qytetarët e Deçanit e kanë respektuar dhe do ta respektojnë Manastirin e Deçanit sepse është një vlerë e shtuar dhe është vlera kryesore e këtij qyteti në aspektin e trashëgimisë historike, kulturore, fetare e që ne vet e kemi mbrojtur me traditë e me shekuj. Mirëpo që nuk pranojmë që manastiri të bëhet pengesë në konceptin e zhvillimit ekonomik të kësaj komune, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese do ta vriste shpresën e qytetarëve të Deçanit për të jetuar në këtë qytet”,tha ai.

Igumeni Sava Janjiq thotë se mos zbatimi i vendimit nga autoritetet lokale ka krijuar shumë shqetësime tek manastiri por edhe shqetësime te faktorët ndërkombëtarë. Çështja e këtij vendimi ishte përfshirë edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit mbi liritë fetare në Kosovë.

“Ne besojmë fuqishëm se arsyeja do të mbizotëroj dhe autoritetet lokale në komunë sikurse edhe autoritetet në qendër, siç është qeveria, do të shohin se është në interes dhe përfitim për të gjithë në Kosovë që ky vendim të zbatohet dhe kjo tregon që në Kosovë sundimi i ligjit është për interesa personale”,thotë Igumeni Janjiq.

Ai thotë se në manastirin e Deçanit ka ardhur në vitin 1992 dhe që nga ajo kohë ka krijuar shumë miqësi dhe se gjatë luftës manastiri ka ndihmuar qytetarët shqiptarë sikurse edhe qytetarët serb pas luftës.

Igumeni Janjiq thotë se Manastiri i Deçanit përveç që i përket Kishës ortodokse serbe, është edhe trashëgimi evropiane dhe botërore dhe është trashëgimi në Kosovë dhe është e rëndësishme që të depolitizohet trashëgimia kulturore dhe të mbrohet si një pasuri për të gjithë.

“Ajo që është shumë e rëndësishme për qytetarët është informimi i drejtë dhe jo të ndikohet nga propaganda se ne jemi pengesa për komunën, që ne jemi pengesa për zhvillimin e kësaj shoqërie. Krejt e kundërta. Manastiri është pasuri për të gjithë. Ne kemi shumë turistë që vijnë çdo ditë nga e gjithë bota dhe këta njerëz po vijnë të shohin këtë manastir por ata po vijnë këtu në Kosovë, prandaj ky është potencial i madh edhe për Kosovën. Pra manastiri nuk është problem por është një e mirë për të gjithë”,thotë ai.

Kundër vendimit të gjykatës kushtetuese janë shprehur edhe anëtarët e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, kryetari i së cilës, Shkodran Imeraj thotë se vendimi bazohet në ligjet e kohës së masave të dhunshme përkatësisht të kohës së masave të (Sllobodan) Millosheviçit.

“Mendojmë që ky vendim është i pazbatueshëm dhe e vetmja zgjidhje për ne si shoqatë është që prona duhet të rikthehet në menaxhim të komunës së Deçanit përkatësisht te titullarët e tyre te ndërmarrjet dhe ne i kemi propozuar edhe më parë edhe parlamentit edhe qeverisë së Kosovës që këto prona duhet t’i shpall me një vendim të veçantë si asete kombëtare përkatësisht pasuri kombëtare të Kosovës dhe të kthehen në menaxhim”,tha ai.

Imeraj thotë se një zgjidhje tjetër për të kthyer vendimi prapa janë gjykatat ndërkombëtare.

“Ne i kemi bërë thirrje edhe komunës së Deçanit që ta dërgoj lëndën edhe në gjykatat ndërkombëtare pasi që këto gjykata do të mund ta kthejnë lëndën në pikën zero siç është rasti i gjykatës së Salzburgut sepse ne mendojmë se me këtë vendim të gjykatës Kushtetuese janë shkelur të drejtat e njeriut”,tha ai.