SHPËRNDAJE

Mjekësia Ligjore ende nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për rastin e vdekjes së Besnik Osmanit, i cili është gjetur i vdekur më 4 mars.

I ndjeri, ishte nisur me veturën e tij nga Prishtina për në vendlindjen e tij në Preshevë, kjo për të kryer disa obligime që kishte në punën e tij, si kontabilist.

Në një bisedë për IndeksOnline, bashkëshortja e Besnikut tregon se ditë më parë ka qenë tek vendi edhe ku është gjetur trupi i Besnikut.

“Tek vendi i ngjarjes kam qenë të dielën e kaluar, rruga ish katastrof, tepër kish hekë. Kam ecë përgjatë rrugës, kam kqyrë për pengesa. Më bëri përshtypje qysh ka mujt me shku deri në atë pikë, qysh ka mujt me ecë aq larg pasi që ish shumë problem me ecë aq larg me këmbë, unë kam ecë me këmbë e duar. Tani po presim pasi që ende s’ka dalë obduksioni. Nuk na ka kontaktu askush më, vetëm ne çka jemi intesu me thirrë ndokënd”, ka thënë ajo.

Ajo rrëfen se si nuk i është rekomanduar t’ia shoh trupin bashkëshortit të saj, porse i ka parë vetëm disa fotografi të trupit të tij.

“Nuk kam mujt me e pa as trupin, por e kam pa vetëm në disa fotografi. Nuk e kanë preferu që me pa trupin e tij por që jam bazuar në disa shenja që i ka pas në trup, më kanë thënë që nuk e njeh në fytyrë pasi që trupi i tij gjatë ka qenë jashtë. Prandaj jemi pajtuar ta kujtojmë ashtu siç e kemi njoftë. Ka qenë veshja që ja mbaj mend, ato që i kam shiquar hollësisht, nuk kam parë asgjë më ndryshe, edhe mjekët më kanë thënë sipërfaqësisht që nuk ka diçka dyshuese tek trupi i tij, por që tash po presim që brenda muajit të marrim përgjigje”.

Tutje, Vjollca e cila është nënë e tre vajzave, tregon për bisedën e fundit që ka pas me Besnikun.

“Biseda e fundit ka qenë me të, që ai nuk e ka pas plan me shku atë ditë por që të punës e thirrën edhe i than në telefon që deri të premten gjithqysh duhet me u ndrru sistemi, kështu më tha që i kanë thënë disa kolegë të tij, pasi që ai ka qenë në marrëdhënie pune atje. Ai (Besniku) e pyeti drejtorin me ja lshu një letër pasi që ish i bllokum po as ata nuk ja lëshuan. Mendojke që mundet me kalu kufirin por që munden me ndalë në karantinë pastaj vetëizolim, edhe ja nisë me punu por nuk ka shku dhe mesiguri e ka lon. Ai nuk e ka ditë atë rrugë, e ka ngatërru, dhe ne po mendojmë që aksidentalisht ka ndodhë kjo, por që prapë pa dalë mjekësia ligjore nuk mundemi me thonë kurgjo”, thekson ajo.

Vjollca thotë se Besniku nuk ka qenë person që ka bërë probleme, porse nuk përjashton faktin që diçka e keqe t’i ketë ndodhur.

“Ai nuk ka qenë person i problemeve, po ku me ditë fakti ose i ka ndodhë diçka e keqe. Kam mbledhë forcë, kam luftu me vetëveten për me vazhdu hatri i fëmijëve ose me u çmend pasi që kam pas periudhë shumë të rëndë. Kam punu shumë me vetëveten pasi që kam qenë tu kalu depresion. Nuk ka qenë fare e lehtë pasi që u kon i zhdukun për gati 6 javë. Gjithë ajo kohë ka qenë ankth”, shtoi ai.

IndeksOnline ka kontaktuar edhe me Prokurorinë e Gjilanit, ku të njëjtit thonë se ende janë në pritje të ndonjë përgjigje nga Mjekësia Ligjore.