SHPËRNDAJE

Plot 23,400 qytetarëve shqiptarë iu mohua të hynin në Zonën Shengen vitin e kaluar, nga një total prej 471,200 udhëtarësh jashtë BE-së, të cilët tentuan po ashtu hyrjen, por u kthyen në kufi për të njëjtën arsye.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, gati gjysma e refuzimeve për udhëtarët shqiptarë janë bërë në kufirin me Greqinë. 11.075 që tentuan të hynin në Greqi u kthyen prapa. Vendi i dytë me shkallën më të lartë të udhëtarëve shqiptarë të refuzuar është Kroacia, me 2,670 refuzime, ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 1,455 dhe Franca me 1,450.

Bartësit e pasaportave shqiptare mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen që nga viti 2011.

Këtë vit, Komisioni Evropian kishte vlerësuar një kërkesë nga qeveria holandeze për të pezulluar regjimin pa viza për Shqipërinë, shkruan Noa.al. Sipas kësaj kërkese, “shtetasit shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në krimin e organizuar në Holandë dhe ka një numër në rritje të emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria, ndërsa numri i aplikimeve për azil nga shtetasit shqiptarë është gjithashtu i lartë”.

Megjithatë, Komisioni Europian e hodhi poshtë këtë kërkesë, pas një vlerësimi të kujdesshëm, duke përfunduar se nuk ka arsye të mjaftueshme për të pezulluar regjimin pa viza për Shqipërinë.

Sipas statistikave të publikuara nga Eurostat, vitin e kaluar 602,000 shtetas të vendeve të BE-së u gjetën të paligjshëm, duke jetuar në një vend tjetër anëtar të BE. Nga ana tjetër, 480,000 persona morën urdhër për të lënë një vend të BE-së, 198,000 prej të cilëve u largua nga ai vend që dha urdhrin. 158,000 prej tyre u larguan nga BE, ndërsa pjesa tjetër mbeti brenda Unionit.

Sa i përket numrit të personave nga vendet jo anëtare të BE, të cilëve iu refuzua e drejta për të hyrë në territorin e tyre pa viza, pothuajse gjysma e tyre e refuzimeve ishin nga Spanja, 230,500, pasuar nga Franca me 70,400 refuzime.