SHPËRNDAJE

Ballisti

Gjykata e lartë ka zbardhur sot vendimin e plotë për Ballist Morninën, i njohur ndryshe “njeriu i dronit” të Beogradit.
Pasi Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit vendosën masën “arrest me burg”, Gjykata e Lartë i’a lehtësoi dënimin Ismail Morinës, duke e lënë me arrest shtëpie.

Mirëpo, në bazë të arsyetimit të këtij vendimi që nxori nga burgu Ballistin thuhet se Policia e Shtetit nuk e ka marrë në mbrojtje shtetasin shqiptar pasi ky i fundit u ka shkruar përmes një kërkese.

Ndërkohë Ballisti do të vazhdojë akuzën e armëmbajtjes pa leje.

“Gjykatat e Faktit, në caktimin e masës shtrënguese “arrest me burg”, si një masë izoluese, nuk ka bërë një analizë të shkaqeve se përse çdolloj mase tjetër është e papërshtatshme, pasi caktimi i kësaj mase sigurimi nuk mund të bazohet vetëm në ashpërsinë e dënimit të mundshëm që personi rrezikon.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, më datë 10.12.2015, shfuqizon vendimin e qeverisë, që rriste marzhin e dënimit për rastet e armëmbajtjes pa leje, ku parashikohej se çdo person që arrestohet për armëmbajtje pa leje rrezikonte një dënim nga 7 deri 15 vjet burg.

Masa arrest me burg nuk i përgjigjet rrezikshmërisë së personit nën hetim, i cili është i padënuar, pa precedentë të mëparshëm. Duke iu referuar edhe ngjarjes së ndodhur në ndeshjen Shqipëri-Serbi dhe jehonës që ajo pati në të dy shtetet, personi nën hetim, Ismail Morina, i është drejtuar më parë Ministrisë së Brendshme për të siguruar mbrojtje prej saj, por në asnjë rast nuk rezulton që një mbrojtje e tillë i është ofruar këtij personi.”