SHPËRNDAJE

MitrocVetëm një autoritet lëshon certifikata të pronësisë në veriun e Kosovës të banuar me serbë. Është ky Enti Gjeodezik Republikan i Serbisë.

Dokumentet që merren në njësitë e këtij institucioni, të shtrira në komunat Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan, “dëshmojnë” se pronat janë pjesë e territorit të Serbisë. Këto njësi veprojnë në kuadër të administratave komunale paralele, të emëruara dhe financuara nga Serbia, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkaq, autoritetet komunale që kanë marrë pushtetin nëpërmjet zgjedhjeve që i ka organizuar Kosova, nuk kanë themeluar fare zyra që pajisin qytetarët me certifikata për pronën e tyre, duke i konsideruar kështu legjitime vetëm ato që lëshohen nga strukturat ilegale.

Gazeta ka siguruar disa kopje të dokumenteve të tilla, një nga të cilat mban datën e këtij muaji. Në krye të dokumentit figuron “Republika e Serbisë”.