SHPËRNDAJE

Kritika ka adresuar për Bashkimin Evropian për mosliberalizimin e vizave për kosovarët, megjithatë thotë se BE mbetet partner i Kosovës në rrugën e saj perëndimore.

Përgjegjësi politike ka kërkuar edhe nga dy partitë opozitare LDK e Vetëvendosje, duke thënë se nuk duhet të refuzojnë bashkëpunimin kur është në çështje interesi nacional.

I pari i Kuvendit në një intervistë për fundvit për KosovaPress, ka ripërsëritur thirrjen për unitet, ndërsa ka ftuar Serbinë që të njohë shtetësinë e Kosovës.

“Duhet me iu bashku Kosova Kosovës. Do të thotë t’i lëmë pjesën e korrigjimit e këto… Ne nuk pretendojmë të marrim ndonjë pjesë të territorit, e s’do t’i japim asnjë pjesë të territorit. Por, se do të interesohemi për shqiptarët tanë në Luginën e Preshevës, dhe se jemi të gatshëm të marrim Preshevën, Medvegjën e Bujanocin nëse Serbia i abuzon dhe mendon se është më mirë me qenë me Kosovën, kjo po. Dhe, s’ka çka i dhemb askujt në këtë aspekt. Kosova, këtë territor që e ka, hajdeni të shkojmë ta mbrojmë së bashku me partnerët tanë, ta fitojmë ulësen në OKB”, thotë ai.

Kreu i legjislativit kujton kohën kur Kosova pati filluar negociatat me Serbinë në Vjenë, e PDK edhe pse opozitë, thotë se morri pjesë në këtë proces pasi që ky ishte interesi i vendit.

Ky fakt, Veselin e shtynë që të jetë edhe më kritik ndaj LDK-së dhe Vetëvendosjes, pasi që sipas tij, vetëpërjashtimi i këtyre të dyjave nga ky proces i jep mundësi Serbisë që të pastrohet nga gabimet e së kaluarës.

Sa i përket vendimit më të përfolur të këtij viti, atij për taksën 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë, kryetari i PDK-së thotë se  ky vendim duhet të qëndrojë edhe më tej, derisa Serbia të respektojë shtetin e pavarur të Kosovës.

E për dështimet e këtij viti, mos anëtarësimit në INTERPOL dhe mos liberalizimin e vizave për Kosovën, Veseli thotë se për të dyja këto, Kosova ka kryer punët e veta.

Për të parën, ai thotë se ishte Serbia me agjendën e saj konsekuente kundër Kosovës, që loboi ashpër kundër Kosovës.

E sa i përket liberalizimit të vizave, ndonëse premtoi disa herë edhe vet se do të ndodhë këtë vit, ai u shpreh se mbetet përgjegjësi e BE-së, pasi që kjo e fundit morri vendim politik.

Është diskutuar shumë që PSD-ja mund t’i bashkohet Qeverisë, e një koalicion me ta nuk e përjashton kreu i PDK-së.

Krejt në fund, Veseli ka folur edhe për punën e Kuvendit të Kosovës, ku ka bërë një krahasim të këtij viti me periudhën e qeverisjes me LDK-në. /KosovaPress/