SHPËRNDAJE

Kryetari i Kuvendit të Kosovës i pyetur nëse SHBA-të kanë kërkuar nga Qeveria heqjen e taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe, tha se nuk ekziston një kërkesë e tillë, por se kanë kërkuar që t’i jepet një mundësi dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Letra e presidentit Trump, qëndrimet e këtij ambasadori të SHBA-ve që i bart qëndrimet janë mesazhe që i marrin shumë seriozisht. Ka një kërkesë që t’i jepet fuqi Kosovës në procesin e dialogut, nuk ka kërkesë për t’u hequr”, tha Veseli.

Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, nuk ka komentuar vizitën e Putinit në Serbi.

“Unë jam deputet, për mua të rëndësishme janë deklaratat tona. Çfarë deklaron Vuqiqi e njohim moti. Sa i përket deklaratave, dhuratave nuk merrem me to, për ne është e rëndësishme që të jemi bashkë. Nuk do të ketë marrëveshje pa njohje”, tha Sejdiu.

E shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, kritikoi mbarëvajtjen e mbledhjes së kryesisë, duke thënë se nuk janë diskutuar fare grevat e mësimdhënësve dhe të mjekëve.

“Në këtë mbledhje as nuk e shqyrtoj fare çështjen e krizës totale që e ka kapluar shtetin, me greva në arsim, shëndetësi. Nuk marrin përgjegjësi për situatën e krijuar. Me grevën e minatorëve e njëjta gjë”, tha ai. Hoti shtoi se për LDK-në, ekipi negociator nuk përfaqëson askënd.

“Ju e dini qëndrimin e LDK ky ekip nuk përfaqëson askënd. Ne jemi duke e dhënë kontributin tonë, jemi duke e mbikëqyrur dhe do ta japim mendimin tonë kur të vije marrëveshja”, tha ai.