SHPËRNDAJE

Faik Zogu dhe Bajram Jaha, pjesë e veteranëve të pakënaqur të UÇK-së të cilët sot kërkuan pastrimin e listave të veteranëve, në “Express Intervistën” në KTV-në, kanë thënë se një dëshmi për veteran të UÇK-së shitej nga 2 mijë deri në 3 mijë euro.

Një grup i ish-ushtarëve të pakënaqur të UÇK-së kanë nisur protestën në të cilën do të shpalosen tri kërkesat e tyre, duke përfshirë edhe pastrimin e listave të veteranëve.

Veteranët kanë thenë se duhet pastruar listat nga veteranët e rrejshëm dhe manipuluesit të dalin para drejtësisë. Ata, në këtë protestë, kërkuan njohje të statusit për veteranët invalidë, e jo, siç thanë ata, veteranëve të rrejshëm. Gjithashtu kërkuan nga prokuroria që të nisë hetimet për listat e veteranëve. Protestuesit kanë akuzuar edhe shoqatat e veteranëve duke thënë se ata po i mbrojnë interesat e veteranëve të rrejshëm.

Zogu, pjesë e Zonës së Drenicës, ka thënë se është i gatshëm të dëshmojë se për 2 deri në 3 mijë euro është shitur një dëshmi e veteranit, derisa ka shtuar se shumë prej veteranëve marrin pension pa marrë pjesë në luftë.

“Një dëshmi për veteranë të luftës shitej nga 2 mijë deri në 3 mijë euro.Unë jam i gatshëm të dëshmoj, mbi 17 mijë persona po marrin pension dhe po e dëmtojnë shtetin e Kosovës”, ka thënë Zogu.

Në “Express Intervistën” e KTV-së, ai ka thënë të jetë kërcënuar për shkak se “zbuli” fryrjen e listës së veteranëve të UÇK-së

“Më kërcënuan shkaku që kam zbuluar fryrjen e listës. Te invalidët e luftës kanë bërë manipulime. Secili po thotë që nuk jam përgjegjës, por komandantët e brigadave e kanë pasur ndikimin dhe po heshtin në këtë gjë sepse barra kryesore është te presidenti”, ka thënë Zogu, i cili shtoi se presidenti Thaçi nxiti aplikimin përmes një komunikate.

“Në komunikatë ai ka thënë se ‘edhe një gotë ujë nëse e ke dhënë mund të aplikosh’, kjo na ka dëmtuar. Unë e di që populli i Kosovës ka dhënë kontribut, por duhet të dallohen kategoritë në ‘veteranë luftëtarë’ dhe ‘pjesëmarrës në luftë’, këtu janë bërë të gjithë veteranë luftëtarë”, ka thënë ai.

Ndërsa Bajram Jaha ka thënë se tani komandanti i FSK-së, Rrahman Rama ka intervenuar në shumë raste të veteranëve

“Rrahman Rama 100 për qind ka intervenuar për veteranët”, ka thënë veç të tjerash Jaha.