SHPËRNDAJE

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu në një konferencë për media ka kritikuar qeverinë që në ekipin e dialogut nuk e ka përfshirë asnjë përfaqësues nga Lugina e Preshevës.

Aliu ka thënë se është i habitur për faktin se në ekipin e dialogut janë përfshirë parti të vogla, e jo edhe shqiptarët e Luginës. Sipas deputetit të VV-së, ekipi i dialogut do të shkojë në Bruksel “ta vazhdojnë procesin që nuk i solli asgjë të mirë Kosovës”. “Në draft-dokumentin e Qeverisë së Kosovës për dialog me Serbinë nuk figuron fjala reciprocitet.

Ekipi negociator që do të udhëtojë nesër në Bruksel po shkojnë vetëm që të vazhdojnë këtë proces që nuk i solli asgjë të mirë Kosovës. Si është e mundur që pikërisht në këtë delegacion ku ka përfaqësues të partive aq të vogla të mos ketë edhe përfaqësues të Luginës”, u shpreh Liburn Aliu. Deputeti i VV-së gjithashtu tha se ekipi i dialogut është i mangët dhe po shkon në Bruksel pa pasur një platformë të qartë.

Ndryshe nesër, ekipi i dialogut me në krye Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin, do të ketë takim në Bruksel me zyrtarë të BE-së.