SHPËRNDAJE

Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Lideri i kësaj partie, Albin Kurti shpalli fitoren në sheshin e Prishtinës, duke theksuar se ai është kryeministri i ri i Kosovës, dhe se po hapet një kapitull i ri për vendin. Sipas rezultateve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) nga gati 100 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje është fituese me afër 26 % të votave të fituara, ndërsa e dyta me një diferencë prej vetëm 1% është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 25 % të votuave të fituara.
Në vendin e tretë është Partia Demokratike të Kosovës (PDK) me mbi 21%, ndërsa pas saj vjen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate mbi 11.60 %, përcjellë INA. Koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë nuk kanë arritur të kalojnë pragun prej 5% për një numër të vogël, ashtu që deri në rezultatet e fundit preliminare, përqindja e tyre ishte 4.93 %. Lista Serbe ka kaluar pragun me 6.38 %, ndërsa këtë nuk e kanë arritur partite e tjera politike. Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta. Mbi 1,9 milionë qytetarë me të drejtë vote dje votuan për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre për përbërjen e re të Kuvendit, nga i cili më pas do të zgjidhet Qeveria e re e Kosovës me mandat katërvjeçar. Të gjitha vendvotimet u hapën me kohë, me përjashtim të disa parregullsive të vogla. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte certifikuar 25 subjekte politike, prej tyre, 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare vijnë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, pas ftesës nga Gjykata Speciale për intervistim.