SHPËRNDAJE

Xhiro e prova që kanë lënë shije të hidhur. Nuk ka mundur të shijojë një ditë të vetme Sebastian Vettel, ndërkohë që rivalët e tij xhirojnë në pistë, qoftë në Spanjë apo në Bahrain, duke u përgatitur për sezonin e ri. Njëvendëshja e tij Red Bull, me të cilën garoi për katër vite radhazi drejt titullit kampion, tashmë e ka tradhtuar, është bërë e pabesueshme nga problemet e shumta e me të drejtë piloti gjerman ndihet i pasigurtë për një titull ndoshta të pestë, që do ta ngjiste edhe më shumë në majat e historisë së Formula 1.

“Për momentin është e pamundur të bëjmë parashikime. Kemi probleme me qëndrueshmërinë e makinës dhe në kushte të tjera do të kisha bërë shumë xhiro në prova. Në të njëjtën kohë është e pamundur të jap një gjykim mbi shpejtësinë. Duhet të presim garën e parë të sezonit për të parë se ku ndodhemi. Vërtet nuk e dimë se ku jemi në raport me të tjerët”.

Shenja të qarta dorëzimi nga 26-vjeçari pa filluar ende kampionati. Tifozët e tij kanë të drejtë të ndihen të trishtuar, por shumë të tjerë mund të gëzojnë sepse ky mund të jetë sezoni i Ferrarit, Mercedes apo McLaren. Në zemër të avarive të shumta të Red Bull qëndron sistemi ftohës i motorit Renault, megjithatë Vettel nuk preferon të drejtojë gishtin ndaj askujt.

“Kemi punuar me Renault dhe Renault punon me ne gjatë gjithë vitit. Nuk është e drejtë të ndahet përgjegjësia, pasi jemi një skuadër dhe ashtu siç kemi ndarë sukseset, tani duhet të ndajmë këto kohë të vështira”.

Në përfundim, kampioni i katërfishtë theksoi se puna me makinën nuk merr fund në këto teste, por do të duhet kohë dhe do të vazhdojë gjatë gjithë kampionatit.