SHPËRNDAJE

Ish ndihmësi i Jose Mourinhos në kohën e Portos, Andre Villas Boas lëshon një tjetër shigjetë ndaj “Special One” duke zgjedhur si të preferuarin e tij, Pep Guardiolan. Pas vizitës së tij në kampin stërvitor të Bayernit në Doha, ish trajneri i Tottenham rezervon fjalët më të mira për teknikun katalanas, duke theksuar se mënyra se si ai e shikon futbollin e ka inspiruar.

“Guardiola ka një filozofi unike dhe këtë e ka aplikuar edhe te Bayerni ku duket qartë edhe dora e tij. Mënyra se si ai e shikon futbollin është e veçantë dhe unë besoj se ai do të lejë një trashëgimi të rëndësishme për këtë sport. Bayerni përpara mbërritjes së tij ka pasur bilanc të shëndetshëm ekonomik por tani ka edhe trajnerin më të mirë të erës moderne”.

Villas-Boas u largua nga Tottenhami disa javë më parë dhe tashmë emri i tij lidhet me Schalke 04 si kandidati më i mundshëm për të zenë vendin e Jens Keller, por ai nuk preferon të flasë për këtë çështje duke u përqëndruar te teknikat që Guardiola përdor për të stërvitur skuadrën.

“Nëse e shikon se si ai e trajnon skuadrën, mënyrën se si e instrukton lojtarët, mund të mendosh se është i fiksuar pas detajeve, por unë mendoj se ai është një njeri me shumë pasion. Sezonin e shkuar, Bayerni fitoi gjithçka nën drejtimin e Jupp Heynckes dhe mendoj se ata duhet ta përsërisin këtë sukses”.