SHPËRNDAJE

Viti 2014 mund të jetë viti rekord me verë të nxehtë. Shkencëtarët në mbarë botën janë të sigurt për këtë me 75 për qind! Ky parashikim është i lidhur ngushtë me fenomenin global atmosferik dhe oqeanik El Niño, i cili, sipas shkencëtarëve, është i gatshëm të hedh në atmosferë sasi të mëdha të nxehtësisë.

El Niño, në fakt paraqet një turbullirë të fortë termike mbi sipërfaqen e Paqësorit lindor, që ka ndikim të madh në klimë dhe mund të krijojë kaos në botë.

Shkencëtarët gjermanë besojnë se është e mundur të parashikojnë sjelljen e El Niños një vit më parë, por pasi temperatura e ujit është e ndikuar nga erërat që fryjnë në ekuator, prognoza është e kufizuar në gjashtë muaj, raportojnë mediat e huaja, transmeton Telegrafi.

Ata pretendojnë se metoda e tyre parashikoi me saktësi mungesën e këtij fenomeni në dy vitet e fundit dhe se ka shumë gjasa që të realizohen parashikimet e tyre se El Niño pritet në fund të vitit 2014.

Megjithatë, opinionet midis ekspertëve në këtë fushë janë të ndara. Meteorologu amerikan Tim Barnett pohon se këto metoda janë të vjetra dhe se janë përdorur në vitet ’80 dhe ’90 të shekullit të kaluar, ndërsa meteorologu australian Andrew Watkins thotë se El Niño ka gjasa të shfaqet, por jo që kjo patjetër të ndodh.

Ajo rreth së cilës pajtohen të shkencëtarët është se Toka çdo dhjetë vjet goditet nga një thatësirë shkatërruese dhe zjarre të papara, dhe se shanset që kjo krizë të ndodhë në këtë vit janë në 75 për qind.