SHPËRNDAJE

Viti 2014 duket se do të jetë më me fat për shqiptarët në tri komunat e Luginës e Preshevës. Kjo, sepse dy qeveritë, ajo në Tiranë dhe në Prishtinë, po bëjnë plane për ta formuar një fond zhvillimor për Kosovën Lindore.

Ky lajm u prit si sihariq nga ata pak shqiptarë sa kanë mbetur nën sundimin e Daçiqit, duke ua rikthyer shpresat e humbura, se Kosova e Shqipëria nuk i paskan harruar krejt. Edhe nëse, siç ka shumë gjasa, mund të jenë vetëm një lloj “vitrash” për shqiptarët që jetojnë nën Serbi, prapëseprapë, më mirë pak se hiç.

Për ata që nuk e dinë, vitrat ose fitri, është një lloj lëmoshe që u jepet njerëzve të vobektë gjatë muajit të Ramazanit.
Por edhe vitrat shqiptarët i kanë kthyer në batuta.

-Kojshi-, i thotë njëri, – t’i kam sjellë vitrat.

-Faleminderit kojshi! Pasi që më ke bërë për vitra, faleminderit, po i marr…-, ia ktheu tjetri.

Shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës ka kohë që janë bërë apo i kemi bërë për ndihma. Vitra hesapi. Për sevap. Për lëmoshë. Për gjynah.

Beogradi kurrë nuk ka shfaqur interesim për zhvillimin e komunave shqiptare, ndërsa Prishtina për dy vjet rresht, jo që nuk ua ka lehtësuar gjendjen atje, por përkundrazi u ka vënë taksa kufitare për të hyrë në Kosovë. Nga këto taksa të atyre që tash u jep vitra, Prishtina ka përfituar disa miliona euro.

Skandali më i madh, mbase s’e keni harruar, ishte ai i Qeverisë në Tiranë, e cila nuk është interesuar fare për këtë “milet”, si të ishin aborigjenë të, për shembull, Australisë.

Madje, ish-kryeministri, Sali Berisha, është kujdesur për vëllazërim-bashkimin në Kosovë, duke alokuar qindra mijëra euro për komunën e Graçanicës, por as edhe një metelik për Luginën e Preshevës.

Lajmi që ka dhënë kryeministri Edi Rama duket se është më shpresëdhënës, pasi që ai ishte dëshmitar i asaj çka po ndodh në Preshevë. Edhe vetë “Kurbani” e kuptoi se në Preshevë para së gjithash ka nevojë imediate për ndërtimin e një shkolle të mesme, për një degë universiteti apo për një spital materniteti.

Qoftë edhe si “vitra” ky fond që ende është në nivelin e llafeve, jep një fije shprese se qenia shqiptare atje do të mbijetojë.

Ky fond, që do të dalë nga takimi i dy qeverive (Tiranës dhe Prishtinës) në mbledhjen e parë të Prizrenit, duhet të ishte funksional për aq kohë sa Serbia dhe Bashkimi Evropian nuk i jep prioritet zhvillimit të Luginës së Preshevës.

Imagjinojeni, Serbia ndan për çdo vjet nga 500 milionë euro për financimin e strukturave (legale apo ilegale), serbe në Kosovë, ndërsa BE belbëzon të deklarohet nëse ky fond është legjitim apo ilegal.

500 milionë euro është një e treta e buxhetit të Kosovës. Kjo dëshmon se Serbia nuk tallet dhe s’merret me vitra, por si gardian i vërtetë u qëndron prapa serbëve “të vet” në Kosovë.

Fondi për Preshevën natyrisht se nuk duhet të jetë kopje e fondit serb për Kosovën, por duhet të jetë një fond që përmirëson cilësinë e jetës në këto komuna.

Ndërsa, çështja e pakontestueshme dhe parimore, është krijimi i standardeve të njëjta si për serbët e Kosovës ashtu dhe për shqiptarët e Luginës. Kjo çështje duhet të ngrihet në takimet e Brukselit nga kryeministri Hashim Thaçi dhe të mbështetet në të gjitha instancat, nga kryeministri Edi Rama.

Nëse serbët e veriut e kanë një fond zhvillimor për komunat e tyre, pse të mos e kenë edhe shqiptarët në Luginë të Preshevës. Standardi është standard. Nuk ka demokraci të dyfishtë. Demokraci ose ka ose s’ka…

Shkruan: Milaim Shefkiu