SHPËRNDAJE

BISMIL-LAHIR-RAHMANIR-RAHIM

VIZITA JONË NË KUDSI SHERIF– JERUSALEM
13-17 MARS 2019

Me datën 13-17 mars 2019, unë së bashku me një grup peligrinësh muslimanë prej 135 personash (shumica shqiptarë dhe disa boshnjakë) nga Zvicra, Austria dhe Danimarka, kaluam disa ditë në Palestinë e në veçanti në qytetin e lashtë të Kudsit – Jerusalemit. Gjatë qëndrimit tonë në Palestinë, patëm mundësi që në mënyrë të organizuar të vizitojmë disa qytete si dhe shumë objekte e monumente të rëndësishme fetare e historike. Ky udhëtim u mundësua nga agjensia turistike SWISS UMRAH nën udhëheqjen e Mr. Bekim Alimit.

DITA E PARË (13 mars 2019)
Natën e datës 13 mars 2019 u nisëm nga aeroporti i Cyrihut për në Telaviv me linjën apo kompaninë ajrore Swiss Airlines. Linja zvicerane mbërriti në aeroportin izraelit Ben Gurion në orën 03.30 të mëngjesit. Pasi zbritëm nga avioni, u drejtuam drejt sportelit të kontrollit, ku u ndaluam nga autoritetet izraelite për rreth 2 orë e gjysmë, të cilët na pyesnin përse kishim ardhur në Izrael, çfarë punoni në Zvicër, e pyetje të tjera të habitshme.
Pasi kaluam kontrollin policor, u nisëm menjëherë drejt hotelit tonë (për akomodim) që ishte në pjesën e vjetër të Jerusalemit.

DITA E DYTË (14 mars 2019)
Pas mëngjesit në hotel, filluam ekskursionin tonë për të vizituar pjesën e vjetër të qytetit të Kudsit si dhe disa monumente shumë të rëndësishme fetare e historike. Prej tyre mund të veçojmë: Xhaminë Aksa; Kupolën e Shkëmbit; Xhaminë e Burakut; Murin e Burakut; Xhaminë e Omerit; Kishën e Ringjalljes, etj.

1. VIZITA E QYTETIT TË KUDSIT – JERUSALEMIT


Disa të dhëna për qytetin e Jerusalemit:
– Qyteti i Jerusalemit konsiderohet “Tokë e Shenjtë” tek pasuesit e tri feve monoteiste (muslimanët, hebrenjtë, dhe krishterët).
– Është njëra prej porteve më të gjëra të Azizë, Afrikës dhe Evropës.
– Jerusalemi është kryeqyteti i Palestinës dhe njëri ndër qytetet më të vjetra të botës.
– Në gjuhën arabe quhet “El-Kuds” – (Qyteti i Shenjtë), kurse në hebraishte “Jerushalim” – (Shtëpia e Shenjtë).
– Qytetin e ndërtuan kenanët (që ishin arabë) para pesëmijë (5.000) viteve dhe ia vunë emrin sipas mbretit të tyre Ursalim – Urshalim, (Qyteti i Salimit).
– Kudsi është vendi i Israsë dhe Mi’raxhit (shih Kaptinën Isra, ajeti 1);
– Në kohët e hershme, Kudsi (Jeruslalemi) njihej me emrin “Ilja”, që do të thotë “Shtëpia e Zotit”.
– Sipërfaqja 125,156 km2
– Popullsia 890.428 banorë (2013)

2. MESXHIDU AL-AKSA (Xhamia e Largët)

– Kibla e parë e muslimanëve;
– Xhamia e dytë e ndërtuar mbi sipërfaqën e Tokës (40 vite pas Qabesë);
– E ndërtoi hz. Ademi a.s.
– E rindërtoi hz. Ibrahimi a.s.
– E zgjeroi dhe e kompletoi hz. Sulejmani a.s.
– Xhamia e tretë për kah rëndësia në Islam (pas Qabesë dhe xhamisë së Profetit, a.s., në Medinë);
– Shumë Profetë kanë lërë gjurmë në të;
– Një namaz në këtë xhami ka vlerën e 500 namazeve.
– Hazreti Muhammedi, s.a.v.s., fali namaz në këtë xhami në natën e Israsë dhe Miraxhit duke u bërë imami i të gjithë Pejgamberëve.
– Hapësira e Aksasë është e rrethuar me mure të larta;
– Sipërfaqja e saj është 144.000 metra katrorë;
– Ka 15 porta (dyer). 10 janë të hapura kurse 5 të mbyllura;
– Ka 4 minare;
– Nën këtë kompleks, ku krahas Xhamisë së Kibles dhe Kupolës së Shkëmbit gjenden edhe muze, medrese dhe oborri i madh;
– I ka 7 salla të lutjeve (Musal-la);
– Ndër vite Xhamia Aksa ka perjetuar disa shkatrrime nga termetet por edhe pushtime.
– Që nga viti 1976 e deri në ditët e sotme, gjendja e Xhamisë Aksa është kjo që është.
– Në vitin 2016, Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore – UNESCO, miratoi rezoluten ku thotë se Xhamia Aksa dhe oborret e saj janë të shenjta vetëm për muslimanët.

3. KUBBETUS-SAHRA (Xhamia e Kupolës së Shkëmbit)

– Kryevepër e artit islamik;
– U ndërtua në vitin 66 hixhrij apo 685 sipas erës sonë prej kalifit emevit Abdul Melik bin Mervan;
– E ka marrë emrin “Kupola e Shkëmbit” sepse në brendinë e xhamisë ndodhet shkëmbi (guri) nga ku hazreti Muhammedi a.s., u ngrit për në qiell (Mi’raxh).
– Aty janë shtatë mihrabet të cilat simbolizojnë shtatë qiejt në të cilët është ngritur hazreti Muhammedi, s.a.v.s.
– Kjo Faltore është vendi ku Allahu ngriti hazreti Isain, a.s., në qiell;
– Vendi ku Sulejmani, a.s., i lutej Allahut së bashku me njerëzit dhe xhindët e tij.
– Shkëmbi i cili qëndron në mes të xhamisë është me një zgavër poshtë e cila njihet ndryshe edhe si “shpella e shpirtërave”, pasi një legjendë tregon që aty dëgjohen shpirtërat e njerëzve të vdekur që presin Ditën e Gjykimit, ndërsa një legjendë tjetër thotë se Xhibrili a.s. e kishte vendosur gishtin e tij dhe prandaj është hapur kjo zgavër në mesin e xhamisë. Por e vërteta qëndron se kjo shpellë e vogël daton që nga koha e kryqëzatave, ku kryqtarët “Xhaminë e Kupolës së Shkëmbit” e kthyen në kishë, ndërsa Shkëmbin në një vend ku therren kafshët. Për këtë arsye e kishin hapur këtë zgavër që gjaku i kafshëve të derdhet aty poshtë.

4. MESXHIDU EL-BURAK (Xhamia e Burakut)


– Kjo xhami ndodhet në pjesën jugperëndimore të Xhamisë Aksa;
– Quhet “Xhamia e Burakut” për shkak se në këtë vend Pejgamberi a.s. e kishte lidhur Burakun (kafshën) me të cilën udhëtoi nga Meka për në Kudsi Sherif.
– Xhamia është e vogël dhe e ngushtë e cila hapet vetëm të xhumave në mëngjes dhe në raste të veçanta.

5. MURI I BURAKUT

– Muri i Burakut është pjesë e murit perëndimor të Xhamisë Aksa në të cilin hazreti Muhammedi a.s. e lidhi kafshën e tij (Burak) me të cilën udhëtoi në qiell.
– Muri i Burakut është 50 m i gjatë dhe 20 m i lartë.
– Ky mur sot njihet si “Muri i Vajtimit”, ose “Muri Perëndimor” ku hebrenjtë besojnë se ka ekzistuar tempulli i Solomonit (Sulejmanit a.s.)
– Hebrenjtë luten dha vajtojnë para murit. I shkruajnë lutjet dhe dëshirat e tyre në një copë letër dhe e fusin në të çarat e murit.

6. PORTA E MËSHIRËS


– Në muret e pjesës lindore të Xhamisë Aksa ndodhet një godinë e lartë me dy dyer të ngjitura. Njëra është në anën jugore që quhet ”Dera e Mëshirës” kurse tjetra në anën veriore e cila quhet “Dera e Pendimit”.
– Sipas emrit të “Derës së mëshirës” e kanë marrë emrin edhe varrezat që ndodhen jashtë kësaj godine, pra “Varrezat e Mëshirës”. Në këto varreza gjenden edhe varret e dy sahabëve të nderuar, Shedad bin Eus dhe Ubade bin Samit (Allahu qoftë i kënaqur me ta).
– Pjesa e brendshme e kësaj godine përdoret për faljen e namazit.
– Thuhet se Imam Ebu Hamid El-Gazali (1058-1111) kur ka banuar në Kuds, është vetmuar në këtë vend dhe ka shkruar disa pjesë të kryeveprës së tij “Ihjau Ulumid-din”.

7. XHAMIA E UMER IBN HATTABIT R.A.

– Xhamia e Umer ibn Hattabit r.a. ndodhet në hapësirën jugore të Kishës së Ringjalljes në qytetin e Jerusalemit të vjetër.
– Kur kalifi musliman, Umer ibnul Hatab mori në dorëzim çelësat e qytetit të shenjtë Kuds (Jerusalem), gjë e cila simbolizonte kujdesin për qytetin, peshkopi i qytetit e ftoi kalifin që faljen e namazit ta bëjë në Kishën e Ringjalljes, vendin më të shenjtë të krishterëve. Por kalifi Umer refuzoi duke i thënë: ”Jo, sepse kam frikë se brezat e ardhshme të muslimanëve mund të kërkojnë ta shndërrojnë kishën në xhami, me pretekstin se aty është falur prijësi i besimtarëve, Umer ibnul Hatab”. Kështu, ai e kreu namazin disa metra më tej, ku më vonë u ndërtua kjo xhami e cila njihet si xhamia e Umerit dhe që ekziston sot e kësaj dite përbri kishës së Ringjalljes.
– Para se të largohej nga Kudsi, Umeri r.a. nënshkroi një traktat me të krishterët, ku muslimanët kishin për detyrë mbrojtjen e krishterëve, garantimin e lirisë së besimit dhe mbrojtjen e vendeve të tyre të shenjta.

Teksti i traktatit të Umerit r.a.

Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirplotit
“Kjo është marrëveshje me të cilën robi i Zotit, Umer ibnul Hattab, Prijës i Besimtarëve u garanton banorëve të Kudsit, të cilëve u garanton jetën, pasuritë, kishat, kryqet, si dhe gjithçka tjetër fetare të tyre. Ai u garanton që kishat e tyre nuk do të përdoren si banesa nga muslimanët, as nuk do të prishen dhe as nuk do të cenohen sado pak. Nuk do u cenohen as kryqet dhe asgjë nga pasuritë e kishave. Ata nuk do të detyrohen të braktisin fenë e tyre dhe as nuk do të dëmtohen.”
Pra, në këtë traktat, hazreti Umeri u garantoi banorëve të Palestinës të gjitha të drejtat e tyre, të jetës, pasurisë, besimit fetar etj.
Traktati i varur dhe i ekspozuar në hyrje të xhamisë së Umerit në Jerusalem

8. PAZARI I VJETËR I QYTETIT


– Rrugës për në Xhaminë Aksa gjenden disa pazare (çarshi) mbresëlënëse të cilat janë të dekoruara tejet bukur dhe që krijojnë një atmosferë fantastike.
– Aty ka shumë dyqane të mbushura me rroba dhe gjësende tradicionale si dhe suvenire të llojllojshme për turistë.

9. KISHA E RINGJALLJES


– Kisha e Ringjalljes është kisha më e vjetër dhe më e rëndësishme në botë. Ajo ndodhet në zemër të qytetit të lashtë të Jerusalemit.
– U ndërtua në vitin 325, mbi vendin ku të krishterët e sotëm besojnë se Jezusi (Isa a.s) u kryqëzua, apo u varros dhe u ngrit në qiell.
– Kishën e “Ringjalljes” e vizitojnë krishterët nga e gjithë bota të cilët luten dhe ndiznin qirinj për veten dhe Jezusin.
– Është shumë interesante se që nga koha e hz. Umerit e gjer më sot, çelësat për hapjen dhe mbylljen e kishës më të vjetër për të krishterët, mbahen nga një familje muslimane.

DITA E TRETË (15 mars 2019)
Pas mëngjesit në hotel, realizuam disa vizita rreth Xhamisë Aksa dhe falëm namazin e xhumasë në këtë xhami madhështore. Pastaj vazhduam ekskurzionin në qytetin Ibrahim el-Halil apo Hebron. Atje vizituam xhaminë “Ibrahimije”, varret e disa Profetëve dhe pastaj vazhduam për në Detin e Vdekur.

10. VIZITA E QYTETIT EL-HALIL – HEBRON

Disa të dhëna për qytetin:
– Qyteti El-Halil është qytet i lashtë palestinez të cilin e ndërtuan kenanët.
– Qyteti e ka marrë emrin “El-Halil” sipas babait të Profetëve, hazreti Ibrahimit, i cili njihet si “Halilull-llah” (mik i Allahut).
– Ndodhet 35km në jug të Jerusalemit në lartësi mbidetare 927 metra.
– Është qyteti më i madh në Bregun Perëndimor si nga sipërfaqja (42 km2) ashtu edhe nga numri i banorëve (215.000).
– El-Halili ka rëndësi të veçantë për tri fetë monoteiste.

11. XHAMIA IBRAHIMIJE

– Xhamia “Ibrahimije” ndodhet në mesin e qytetit të Halilit.
– Konsiderohet objekti më i vjetër i cili shfrytëzohet edhe sot e kësaj dite pa ndërprerje.
– Është ngritur mbi shpellën në të cilën janë të varrosur Profetët e Zotit, Ibrahimi, Is’haku, Ja’kubi dhe gratë e tyre.
– Sipas disa transmetimeve përmendet se këtu janë të varrosur edhe këta Profet: Jusufi, Ademi, Nuhu dhe djali i Nuhut, Sami.


Varri i Profetit Ibrahim a.s. në xhaminë “Ibrahimije” – Halil


Varri i Profetit Is’hak dhe bashkëshortës së tij në xhaminë “Ibrahimije” në Halil

12. DETI I VDEKUR

– Deti i Vdekur është liqen në Lindjen e Afërme (ndërmjet Jordanisë dhe Palestinës) por shpesherë e quajmë det.
– Cilësohet si deti më i kripur në botë. Kripësia është aq e madhe sa që në të nuk ka jetë, përveç disa mikroorganizmave-bakterie.
– Kripësia e tij është 30%, gjë që është 9 herë më e lartë se uji i zakonshëm i detrave.
– Është i gjatë 67 km dhe i gjërë deri në 18 km.
– Ai është i njohur edhe si vendi apo pika më e ulët në Tokë. Është 426 metra nën nivelin e detit.
– Është renditur si deti më i thellë në botë, 377 metra.
– Deti i vdekur është i njohur për sigurimin e një shumëllojshmërie të produkteve medicinale.
– Në literaturën islame këtë det e hasim me emrin Liqeni i Lutit a.s.
– Luti a.s. u dërgua në fshatin Sedom. Ky vendbanim ndodhet pranë detit të vdekur. Banorët e këtij fshati (qyteti) ishin jobesimtarë, të shthurur dhe të degjeneruar. Origjina e homoseksualitetit e ka zanafilën pikërisht tek ky popull i pamoralshëm. Luti a.s e ftoi popullin në rrugë të drejtë, por ata nuk i kushtuan vëmendje. Pasi Luti a.s. u largua nga qyteti Sedom, Allahu shkatërroi këtë popull të lig dhe të shthurur, që jetonin pranë detit të vdekur. (Historia e Profetit Lut a.s. përmendet në Kur’an).
– Lufta ndërmjet perisanëve dhe romakëve ndodhi pikërisht pranë Detit të Vdekur. Në ajetet e para të sures Er-Rum në Kur’an, Allahu i Madhërishëm na tregohen se romakët pësuan disfatë (në luftë me Perisnë) në vendin më të ulët në Tokë. Kjo ka ndodhur në vitet 612 – 614. Muslimanët u pikëlluan për humbjen e bizantinëve (romakëve), sepse ata ishin ithtarë të Librit (krishterë) kurse persianët ishin paganë (idhujtarë). Por, Allahu i Madhërishëm deshi që t’i qetësojë shpirtërisht besimtarët dhe t’ua largojë dëshpërimin nga zemrat e tyre dhe zbrit ajetet e para të Kaptines Rum, duke i përgëzuar besimtarët se romakët do të ngadhnjejnë ndaj persianëve pas disa viteve. Dhe, vërtet nuk kaluan as dy vite të plota e romakët (bizantinët) ngadhënjyen ndaj Persisë dhe kësaj fitoreje iu gëzuan të gjithë besimtarët. Pra, ky është edhe një argument se Allahu është i Gjthdijshëm dhe Njohës i çdo të fshehte, dhe se atë që e thotë patjetër do të ndodhë e do të realizohet.

DITA E KATËRT (16 mars 2019)
Në ditën e katërt, vizituam qytetin më të vjetër në botë që quhet Eriha apo Jericho, xhaminë dhe mekamin e Profetit Musa a.s., disa xhami dhe mekame të njerëzve të mirë si dhe Kodrën e Ullinjve. Në mbrëmje vazhduam rrugën drejt Telavivit për tu sistemuar në hotel.
13. QYTETI ERIHA (JERICHO)

– Eriha (Jericho) është qytet palestinez shumë i lashtë. Shtrihet në Bregun Perëndimor në afërsi të lumit Jordan në anën veriore të Detit të Vdekur.
– Historia e këtij qytetit daton 10.000 – 11.000 vite para erës sonë dhe konsiderohet qyteti më i vjetër në botë.
– Sipas statistikave të fundit, ky qytet numëron afro 22.000 banorë.
– Ndodhet në pikën më të ulët të botës, 250 metra nën nivelin e detit.


Një panoramë e qytetit Eriha (Jericho) – Palestinë

– Sipas Biblës, Eriha apo Jericho është qyteti ku Jezusi predikoi lajmin e mirë dhe bëri të verbërit të shohin.
– Emri “Eriha” në gjuhën e vjetër të kenanëve d.m.th. “Hënë”, pra “Qyteti i Hënës”.
– Thuhet gjithashtu se emri i këtij qyteti e ka origjinën nga Eriha i biri i Malikut i biri i Samit i biri i Nuhit a.s

14. XHAMIA DHE MEKAMI I HAZRETI MUSAIT A.S.


Xhamia e Profetit Musa a.s.

– Në Islam, Musai a.s. bën pjesë në mesin e Pejgamberëve të dalluar, të vendosmërisë së lartë (ulu’l-azmi miner-rusul) dhe është një prej personaliteteve që përmendet më së shumti në Kur’an.
– Ai konsiderohet po ashtu një ndër Profetët më të rëndësishëm si në Hebraizëm ashtu edhe në Krishterizëm.
– Xhamia dhe mekami (vendi) i Profetit Musa a.s. ndodhen në Palestinë, në drejtim të qytetit Eriha, 20km larg Jerusalemit.
– Ky kompleks ka xhaminë, minaren dhe disa dhoma të ndryshme.
– Është ndërtuar në vitin 1269 nga Sulltani i memalikëve Dhahir Bejbers.

Mekami i Profetit Musa a.s.

15. MEKAMI DHE XHAMIA E SELMAN FARISIUT R.A.


Xhamia e Selman Farisiut në Jerusalem
– Prej monumenteve fetare dhe historike në qytetin e Kudsit (Jerusalemit) është edhe Mekami (vendi) dhe xhamia e Selman Farisiut r.a. Ato gjenden në afërsi të Kodrës së Ullinjve.
– Selmani (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka qenë sahabij (shok i Profetit Muhammed a.s.) nga Persia (Irani i sotëm) i cili pranoi Islamin në shekullin e parë. Sipas historisë islame, Selmani i propozoi Profetit a.s. që të hapin hendeqe (rreth qytetit të Medinës) në Betejen e Hendekut dhe pas këtij plani strategjik, muslimanët dolën fitues e ngadhënjimtarë.
– E vizitoi Kudsin dhe jetoi një kohë në këtë vend.
– Muslimanët e hershëm e ndërtuan këtë “Mekam” si vend përkujtimi ndaj këtij sahabiu të nderuar.


Mekami i Selman Farisiut r.a. në Jerusalem

16. MEKAMI I RABIJE ADEVIJES

– Rabije Adevije është një personalitet shumë i njohur në mistikën islame.
– Ka lindur në vitin 100 hixhrij (717 miladi) në Basra të Irakut.
– Ka qenë muslimane tepër e devoshme, e cila ka jetuar një jetë askete, larg njerëzve dhe kënaqësive të kësaj bote.
– Ka jetuar 80 vite dhe tërë jetën e saj ia ka kushtuar vetëm adhurimit të Zotit.
– Është e njohur edhe për thëniet e urta dhe poezitë e saj, ku nëpërmjet tyre mundohet të paraqesë dashurinë e zjarrtë ndaj Allahut të Madhërishëm.
– Pasi largohet nga Basra, vendoset në Jerusalem, gjegjësisht pranë Malit të Ullinjve, ku kalon një pjesë të jetës së saj.
– Në shenjë përkujtimi është ngritur “Mekami” i saj që ndodhet në afërsi të xhamisë dhe mekamit të Selman Farisiut.


Mekami i Rabije Adevijes në Jerusalem

17. KODRA E ULLINJVE

– Kodra e Ullinjve ndodhet në zonën arabe të qytetit të vjetër të Jerusalemit. Nga ky vend shihet një pamje fantastike e qytetit dhe kompleksit të Xhamisë Aksa.
– Në Kodrën e Ullinjve vijnë me mijëra pelegrinë nga e gjithë bota, muslimanë, të krishterë, çifutë etj.
– Qëndron në pjesën më të ngritur (më të lartë) të Jerusalemit, që mbretëron me 826 metra lartësi mbi nivelin e detit.


Pamje spektakulare e qytetit të vjetër të Jerusalemit nga Kodra e Ullinjve

DITA E PESTË DHE E FUNDIT (17 mars 2019)
Pas mëngjesit në hotel, vazhduam me vizita në qytetin e Jafës. Shëtitëm në këmbë përreth bregdetit mesdhetar që kishte vërtet një pamje impozante, e më pas vizituam xhaminë “Mahmudije” dhe kullën e sahatit. Pasidite u nisem drejt aeroportit të Telavivit për tu kthyer në Zvicër.

18. QYTETI JAFA


– Një ndër qytetet më të vjetra dhe historike të Palestinës.
– E themeluan kenanët para 4 mijë viteve.
– Që në kohrat e lashta ka qenë vend strategjik dhe një ndër qytetet me të rëndësishme ekonomike. Sot ka mbetur vetëm si një lagje e vjetër e Telavivit.
– Në vitin 1948, me pushtimin e këtij qyteti nga hebrenjtë, shumica e arabëve (palestinezëve) shpërngulen nga ky vend.
– Sot në Jafa jetojnë afro 60.000 banorë, shumica hebrenjë dhe vetëm një pakicë e vogël arabë (musliman dhe të krishterë).
– Prej ngjarjeve më të rëndësishme që kanë ndodhur në këtë qytet mund të veçojmë zbritjen e Profetit Junus a.s. në bregdetin e saj në shekullin e 8-të para erës sonë.
– Atë vit që Hz. Omeri hyri në Kuds, Jafën e çliroi (nga bizantinët) sahabiu i nderuar Amër ibn As r.a.
– Porti detar i Jafës llogaritet të jetë porti më i vjetër në botë.

19. XHAMIA MAHMUDIJE NË JAFA

– Xhamia e Madhe në Jafa apo siç njihet ndryshe “Xhamia Mahmudije”, u ndërtua në vitin 1812 në periudhën osmane.
– Ndodhet në pjesën bregdetare të Detit Mesdhe në qytetin e vjetër të Jafës.
– Veçohet për nga madhësia dhe arkitektura tërheqëse e saj.
– Pranë xhamisë, ka ekzistuar edhe medreseja dhe fakulteti i studimeve islame.
– Përreth xhamisë ndodhen dyqane afariste që janë pronë vakufore dhe që kanë shërbyer për mirëmbajtjen e xhamisë, por për fat të keq, nga viti 1948 e gjer më sot, këto lokale janë të uzurpuara nga hebrenjtë dhe shfrytëzohen për interesa të tyre.

20. DETI MESDHE


Pamje spektakulare e Detit Mesdhe nga qyteti i bukur i Jafës

– Deti Mesdhe është një det i Oqeanit Atlantik i rrethuar nga rajoni Mesdhetar dhe gati tërësisht i rrethuar nga toka, në veri nga Europa, në jug nga Afrika dhe në lindje nga Azia.
– Ai zë një sipërfaqe prej rreth 2,5 milion kilometra katrorë dhe konsiderohet një nga detet me sipërfaqe më të madhe në botë.
– Ky det ka dalje të gjërë në Oqeanin Paësorë dhe është i përbërë nga disa dete si deti Adriatik, Jon, Egje etj.

21. KULLA E SAHATIT

– Kulla e Sahatit në qytetin e Jafës ose Sheshi i dëshmorëve daton nga koha e Perandorisë Osmane.
– U ndërtua në vitin 1901 si kremtim me rastin e 25 vjetorit të ardhjes në pushtet të Sulltan Abdylhamidit të dytë.

Përgatiti:
Enes Koshi
Mars/2019