SHPËRNDAJE

Shumë vende të Shqipërisë kanë pasuri të madhe kulturore dhe historike. Ndër to janë Gjirokastra, Berati, Vlora, Vunoi dhe Dhërmiu. “Mirëmëngjes, dhe me këto pamje nga puna vijuese për rikthimin e shkëlqimit dhe nxjerrjen në dritë të vlerave historike e kulturore të Gjirokastrës, Beratit, Vlorës, Dhërmiut e Vunoit, ju uroj një javë të mbarë”, ka shkruar në Facebook kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Janë 15 milionë Euro që do të investohen në të gjithë qarkun e Gjirokastrës. Në qytet do të investohet për rikuperimin e rrjetit inxhinierik në qendrën historike, për përforcimin e qëndrueshmërisë tektonike dhe restaurimin e godinave muzeale. Në Gjirokastër investimet fokusohen në restaurimin e kalldrëmeve, ndriçimin e Qafës së Pazarit dhe rehabilitimin e hapësirave urbane, përmirësimin i aksesit në kala, rivitalizim i rrugëve ndërlidhëse për të lehtësuar mobilitetin e qytetarëve dhe turistëve dhe sistemin e ri të muzeve sipas një koncepti të ri dhe bashkëkohor. Rikonstruksioni i rrugës “Mihal Komneno” dhe “Tabes” 1.2 kilometra në Berat e njohur ndryshe si rruga këmbësore për në Kalanë e Beratit, tashmë ka përfunduar.

Ky ishte një investim i rëndësishëm për qendrën historike në përmirësim të nivelit të shërbimit ndaj turizmit kulturor. Pritet që në 2019 të fillojë puna edhe për rrugën “Muzak Topia”, e njohur si rruga automobilistike për në kalanë e Beratit. Qendra historike e Vlorës ndërthur diversitetin dhe bashkëjetesën e kulturave, feve dhe është pjesë e së përditshmes dhe e historisë. Po vijon puna për rikualifikimin e zonës urbane pranë qendrës së qytetit të Vlorës.

Projekti synon shndërrimin e kësaj zone në një pikë aktraktive për turistët, si dhe një mundësi më shumë zhvillimi për bizneset vendase. Ky projekt zbaton restaurimin në zemër të Vlorës, aty ku qyteti ende ruan identitetin, gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të XIX‐të dhe fillimit të shekullit XX. Punimet po realizojnë restaurimin e rrugës “Justin Godar”, ish-pazari, “Lagja e Hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga, xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit.

Rikualifikimi urban dhe restaurimi i objekteve në Qendrën Historike dhe Zonën e Mbrojtur në fshatrat Dhërmi dhe Vuno është një tjetër projekt i cili po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Institutin e monumenteve të Kulturës. Ky projekt ka për qëllim të rikthejë vlerat historike dhe kulturore të Dhërmiut dhe Vunoit dhe kthimin e tyre në produkt turistik të zonës, krahas plazheve të mrekullueshme.

Fshati i Dhërmiut ndodhët 52 kilometra në Jug të Vlorës, 72 kilometra në veri të Sarandës dhe rreth 210 kilometra nga kryeqyteti i Tiranës. Nga ana administrative Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës, rrethi i Vlorës. Fshati i Vunoit, i vendosur në një nga pjerrësitë e vargmalit të Çikës, në një truall të ashpër shkëmbor me shtrirje në formë harku, të mahnit me arkitekturën dhe pamjen piktoreske që ofron. Ky fshat me bukuri të rrallë, nga pikëpamja urbanistike karakterizohet për kompaktësinë e ndërtimeve, harmonizimin e përsosur me truallin dhe vendosjen e shkallëzuar të banesave, të cilat shfaqen qartë, pa mbuluar njëra-tjetrën, duke krijuar një ansambël piktoresk.