SHPËRNDAJE

Shkoi në burg hallexhiu që kishte vjedhur qebapa. Kjo është një thënie që shpesh përdoret edhe nga politikanët në Maqedoni, por esnafë në Çarshinë e Shkupit thonë se para shumë viteve kishte ndodhur një rast i tillë. Kjo sipas tyre duket si përrallë apo gënjeshtër, por kishte ndodhur, kur një hallexhi dhe lypsarë rom i rraskapitur dhe pa bukë, kishte ndërhyrë dhunshëm në njërën nga qebatoret në rrugën frekuentuese poshtë Bit Pazarit, në hyrje të Çarshisë, duke futur në xhepa dhe fanellë një grumbull qebapash, aq sa kishte arritur ti kap.

Pronari kishte ngelur i habitur, por hallexhiu nuk ka arritur që të ikë, pasi që në afërsi të lokalit kishin qëlluar inspektorë policie që menjëherë e kanë arrestuar. Pas shumë javëve, kishte mbërritur lajmi në Bit Pazar se hallexhiu i shkretë ishte dënuar me dy vjet burg dhe ishte dërguar drejt e në Idrizovë. Ky rrëfim tregon ngjarjen që ka ndodhur në fundvitet e 90-ta, pikërisht në këtë shtet që kurrë su bë dhe kurrë nuk kishte drejtësi. Sot jemi dëshmitarë se milionerë e miliarderë të ngopur me krim e korrupsion paguajnë dënimet, burgun dhe arratisen, e dikush për 10 qebapë kalbet në burg.