SHPËRNDAJE

Prodhuesi prestigjioz gjerman i veturave, Volkswagen, paralajmëron se po përgatitet që të pezullojë përkohësisht shumicën e fabrikave të tij në Evropë për shkak të pandemisë.

Duke folur për mediat këtë të marte, kreu ekzekutiv Herbert Diess, ka thënë se kompania do të ndalonte prodhimin në fabrikat të cilat operoheshin nga brendet e grupit “në të ardhmen e afërt”, me shumicën e fabrikave evropiane për të cilat është vendosur që të ndërpritet puna për të paktën dy javë, shkruan CNBC. Prodhimi në fabrikat e Volkswagenit në Spanjë, Sllovaki dhe Itali do të ndalohet para përfundimit të kësaj jave, shtoi Diess.
Gjithashtu, ky prodhues i madh i automjeteve paralajmëron se 2020-a do të jetë “një vit shumë i vështirë”, i cili do të paraqesë “sfida të panjohur operacionale dhe financiare”.

“Nuk dihet sigurt se sa ashpër ose për sa kohë do të ndikojë kjo edhe në Volkswagen Group. Gjithashtu, aktualisht është pothuajse e pamundur të bëhet një parashikim i besueshëm. Jemi duke përdorur të gjitha masat në formë task-force për të mbështetur punonjësit tanë dhe familjet e tyre dhe për të stabilizuar biznesin tonë”, ka thënë Frank Witter, kreu i financave në Volkswagen.