SHPËRNDAJE

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka kritikuar sot autoritetet e Prishtinës për siç thotë ajo ngecjen në hetimet për zbardhjen e vrasjes së liderit të SDP-së në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq.

Bërnabiq thotë se ajo ka qenë e informuar në vazhdimësi me ecurinë e hetimeve mbi këtë vrasje, por që nuk është aspak e kënaqur me arritjet e deritanishme, transmeton lajmi.net.

“Çfarë fatkeqësisht doli të jetë e vërtetë, ashtu siç bëri të ditur Presidenti Vuçiq dhe ministra të tjerë të qeverisë serbe, ne nuk kemi parë progres në këto hetime. Prishtina nuk ka bërë mjaftueshëm për zbardhjen e këtij akti terrorist”, deklaroi Bërnabiq.

E në anën tjetër, në një përgjigje për lajmi.net nga Prokuroria Speciale ishte bërë e ditur që hetimet janë në fazën e intervistimit të dyshuarve.

“Deri më tani janë intervistuar një numër i konsiderueshëm i personave, të gjithë këta në cilësi të dëshmitarëve. Jemi në fazën e grumbullimit të provave, ende nuk kemi asnjë të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për lajmi.net.

Ndryshe, më 16 prill të këtij viti u bënë tre muaj që prej vrasjes së Ivanoviqit para zyreve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Rreth dy muaj më vonë rastin e kishte marrë në dorë Prokuroria Speciale e Kosovës.