SHPËRNDAJE

Luftë të re paralajmëroi mbrëmë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nëse synohet ndarja e Kosovës.

Ai madje mundësinë për ndarjen e vendit i cilësoi si hajgare.

“Këto janë hajgare, njerëzit mund të flasin çka donë, ndarja është luftë e re në Ballkan. Kush është gati edhe për një luftë të re, le të flet për kufi, për ndarje”, është përgjigjur shkurt Haradinaj në një intervistë mbrëmë.

E ndaj këtyre deklaratave ka reaguar sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq është “zbutur” duke deklaruar se Serbia nuk është e interesuar për luftë.

“Mua nuk më pëlqen kur udhëheqësit e vendeve të tjera flasin për luftë. Ne nuk duam luftë, dhe do të japim më të mirën që ta mbrojmë tokën tonë nga ndonjë konflikt”, deklaroi presidenti serb.

Vuçiq këto deklarime i dha pikërisht në ditën kur pati një takim me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Lideri francez në këtë takim ka kërkuar nga Vuçiqi arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Kosovën, duke e cilësuar këtë si shumë të rëndësishme në rrugën e Serbisë drejt BE-së.

Vuçiq tutje deklaroi se do të mundohet që të mos e lë për gjeneratat e tjera një konflikt të hapur.

“Nëse ka një konflikt të ngrirë me Kosovën, llogaritni se nuk ka perspektivë evropiane”, përfundoi Aleksandar Vuçiq.

Ndryshe presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë nesër do të takohen në Bruksel për ta vazhduar fazën finale të dialogut.