SHPËRNDAJE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një konferencë shtypi pas një takimi me raportuesin e PE-së për Serbinë, David McAllister tha se Beogradi do të jetë i gatshëm në çdo moment për të folur me shqiptarët për kompromis, por para kësaj pret përmbushjen e marrëveshjes së Brukselit.

Por, siç raportojnë mediat serbe, Vuçiq ka shprehur dyshim se pala shqiptare dëshiron të njëjtën gjë, sepse, siç tha ai, ”vetëm sonte, kryenegociatori i tyre Avni Arifi ka thënë se nuk u bie ndër mend për të humbur kohë në përmbushjen e marrëveshjes dhe formimit të Asociacionit”.

Përveç marrëveshjes me Prishtinën, shtoi ai, na mbetet dhe të bisedojmë mes nesh, për shkak se, siç tha ai, pa marrë parasysh një sondazh zbuloi se 80 për qind e njerëzve në Serbi janë të angazhuar për mbajtjen e konfliktit të ngrirë, ai është kundër kësaj.

“Unë do të jap më të mirën për të luftuar kundër mendimit të 80 për qind të njerëzve që mendojnë se duan ta mbajnë të ngrirë konfliktin. Unë nuk do të marr një vendim kundër popullit tonë. Stabiliteti është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër”, citohet të ketë thënë Vuçiq.