SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qëndruar sot në të njëjtën tavolinë me homologun e tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të një takimi të udhëheqësve rajonalë, në Shkup.

Megjithatë, mes tyre nuk ka pasur shtrëngim duarsh. Kështu ka bërë të ditur presidenti serb.

Vuçiq ka thënë se Thaçit sot nuk ia dha dorën në Shkup, ndryshe nga herët e kaluara.

Megjithatë, presidenti serb ka thënë se është e rëndësishme të flitet për të ardhmen, pavarësisht raporteve të hidhura, të manifestuara sot.

Takimi në Shkup, u ka thënë ai gazetarëve, nuk ka qenë i lehtë – dhe se çështja kryesore për të cilën është diskutuar ka qenë qëndrimi i Beogradit dhe i Prishtinës.

Vuçiq ka treguar se ka pasur polemika me Thaçin. I pari i Serbisë ka thënë se Thaçi ka pohuar se Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen për energjinë, që, sipas Vuçiqit, nuk ekziston.

Ai po ashtu ka thënë se Thaçit nuk i beson për asgjë. Vuçiq ka thënë se e di që Thaçi ka qenë i informuar për vizitën e zyrtarit serb, Marko Gjuriq, për arrestimin e të cilit më pas dha urdhër.

Përkundër të gjithave, ka thënë Vuçiq, Serbia duhet të vazhdojë dialogun me Kosovën.

“Do të ishte marrëzi e madhe nëse do ta mbyllnim derën e dialogut dhe të prisnim që diçka do të zgjidhej”, është shprehur presidenti serb.