SHPËRNDAJE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se do të dalë para popullit me propozimin e tij për “zgjidhjen e përhershme të çështjes së Kosovës” dhe se populli pastaj do të vendosë për të ardhmen e tij.
Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë zhvilluar të dielën rrethin e fundit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Me këto bisedime, që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian, synohet të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme për normalizimin e raporteve.

“Nuk ka asgjë të bukur për Kosovën që mund të ofrojmë apo të fitojmë. Vetëm mundime dhe gjëra të vështira. Por, unë do të dal para popullit dhe do ta them propozimin tim. Nuk do të fshihem dhe populli do të sjellë vendimin për të ardhmen e tij”, është shprehur ai.
Vuçiq tha se vendimi për referendum do të merret pasi të arrihet një zgjidhje kompromisi, e cila nuk do të jetë në kurriz të qytetarëve.