SHPËRNDAJE

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një interviste në një televizion serb, ka folur për ecurinë e deritashme të dialogut me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel dhe për vizitën e presidentit ris Vladimir Putin, i cili do të qëndrojë në kryeqytetin serb më 17 janar.

Lidhur me takimet e deritashme në Bruksel me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka zbuluar se ata flasin mes vete në gjuhën angleze dhe ka lavdëruar Thaçin se e ka përmirësuar anglishten e tij.

“Anglishtja e tij është përmirësuar dukshëm, kurse serbishten e shfrytëzojmë kur konfrontohemi, kur hasim në probleme”, tha Vuçiq në TV “Pink”, përcjell Telegrafi.

Ai gjithashtu ka zbuluar një detaj, duke thënë se krahas konflikteve verbale që kishin në Bruksel me delegacionin kosovar, në një rast ka mundur të vijë edhe deri te përleshja fizike, në të cilën janë përfshirë Ivica Daçiq dhe ministri i atëhershëm kosovar i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

“Në këtë rast më është dashur të intervenojë dhe të përfshihem edhe vet. Por, gjithçka ka përfunduar shpejt”, tha Vuçiq, duke shtuar se në Bruksel nuk guxon të vijë deri te përleshjet fizike, “aty është vendi ku duhet të vijë deri te konfrontimi i ideve, vizionit dhe të ardhmes”.