SHPËRNDAJE

Polo2017

Revista gjermane e njohur “Auto Bild” ka publikuar disa fotografi të reja përmes të cilave tregon pamjen e mundshme të modelit të ardhshëm, i gjeneratës së gjashtë – Volkswagen Polo.
Modeli aktual Polo V është prezantuar në vitin 2009 dhe tani është koha për ndryshim, sepse konkurrenca në ndërkohë natyrisht se nuk ka fjetur.

Sipas informatave të tanishme, Polo VI promovimin do ta mbajë në mars të vitit të ardhshëm, në panairin e veturave në Gjenevë, ndërsa prodhimi i tij do të fillojë në fillim të verës së vitit të ardhshëm.

Ashtu siç njoftohet, Polo i ri do të bazohet në platformën MQB dhe pritet të jetë i gjatë ndërmjet 4.05 dhe 4.1 metra.

Përveç eksterierit modern, pritet edhe interier më i gjerë. Po ashtu pritet të jetë pak më i lehtë, të ketë siguri të avancuar, ku, ndër të tjera, përmendet Active Info Display, Keyless Start (ndezje pa çelës), shasia adaptive si dhe dritat adaptive LED.

Në gamën e motorëve, ndër të tjera, mund të pritet motori benzinë 1.0-litër me tre cilindra e me kapacitet prej 65 deri 115 kuajfuqi, 1.5-litër TSI me 150 kuajfuqi dhe 2.0-litër me rreth 200 kuajfuqi për Polo GTI, si dhe motori dizel 1.6-litër TDI me 80 deri 95 kuajfuqi.

Gjithashtu, paralajmërohet edhe motori në version 1.0-litër TGI me gaz natyror e me kapacitet prej 90 kuajfuqi, si dhe është e mundshme edhe versioni hibrid i këtij modeli.

Duhet theksuar se Polo i ri, pavarësisht ndryshimeve, do të kushtojë më lirë sesa modeli aktual. Saktësisht, Polo VI në Gjermani do të fillojë me çmim prej rreth 12.500 euro, ndërsa çmimi për modelin aktual fillojnë nga 12.600 euro.

Gjithashtu, Volkswagen për blerësit do të ofrojë edhe versionin SUV për Polon e re.

Polo SUV, i cili pritet të vjen me një emër tjetër, do të fillojë shitjen gjatë vitit 2018 dhe do të ndërtohet me platformën VW MQB.

Polo SUV serik po ashtu do të vjen edhe me një palë dyer shtesë dhe do të ketë çatinë klasike,  ky version për këto dy elemente është bazuar në konceptin T-Cross Breeze i cili është prezantuar në panairin e fundit të veturave në Gjenevë.

Një burim i brendshëm njofton se Baby SUV i ri i Volkswagenit duket “shumë sportiv”, ndërsa një burim tjetër thotë se në ofertë do të jetë në dispozicion edhe sistemi i tërheqjes në të gjitha rrotat, 4×4.

Në gamën e motorëve të Polo SUV, në dispozicion do të jenë motorët me tre dhe katër cilindra, ndërsa sa i përket marsheve përmenden marshet manuale dhe DSG me koplung të dyfishtë.

Sa i përket çmimit, Polo SUV me sistemin e tërheqjes vetëm me rrotat e përparme pritet të dalë për shitje në treg me çmim prej më pak se 20 mijë euro.