SHPËRNDAJE

Gruaja dhe agjentja e Mauro Icardit, ka folur përsëri për situatën e lojtarit në klubin zikaltër.

Wanda Nara e lumtur pas fitores së Interit në derbi me Milanin. Ta paktën në fjalët e menaxheres dhe bashkëshortes së argjentinasit kuptohet që së shpejti do të ketë paqe, për të lënë një herë e mirë pas të gjitha mosmarrëveshjet me drejtuesit zikaltër.

“Të gjithë flisnim për një krizë të Interit, por unë isha e bindur se do të fitonte”.

“Rikthimi i Mauros? Unë nuk di asgjë për takimin e mundshëm të së premtes, kam biseduar me Marottan dhe paqja është afër. Nëse Mauro takohet me trajnerin të premten, ata do të duhet të bisedojnë hapur me njëri-tjetrin”.

Kjo është shenja e parë e rëndësishme e paqes, megjithatë Wanda Nara përsërit të njëjtat gjëra: “Mauro është duke u rimëkëmbur nga problemi i gjurit, i cili është real. Ai ka luajtur me dhimbje edhe përpara, për të treguar sa interesohet për Interin. Sapo të jetë në gjendje, do të kthehet, nuk ka probleme me ekipin”.

“Ne i kemi shqyrtuar të gjitha deklaratat e lojtarëve dhe askush nuk ka folur kurrë keq për Icardin. Thuhen kaq shumë gjëra… Nuk ka kërkuar kurrë ngritje rroge, pra nuk ka qenë çështje parash”, ka përfunduar ajo.

Icardi nuk luan për Interin tash e një muaj, prej momentit që klubi kishte vendosur t’ia hiqte shiritin e kapitenit.