SHPËRNDAJE

Trajneri i Arsenal, Arsene Wenger hidhet në mbrojtje të turko-gjermanit Mesut Ozil, duke insistuar se ai është një futbollist i jashtëzakonshëm. Lojtari i kombëtares gjermane nuk ka shënuar në 8 ndeshjet e tij të fundit në kampionat, dhe ka dështuar për të regjistruar një asist që dhjetorin e kaluar.

Ozil u vu nën breshrinë e akuzave të disa seksioneve mediatike, veçanërisht pas disfatës 5-1 të “Topçinjve” ndaj Liverpool, pasi humbi zotërimin në dy raste të shënimit të golave të shpejtë nga Liverpool në një 20 minutësh katastrofik për Arsenalin.

Gjithsesi Wenger hedh poshtë sugjerimet se ish-futbollisti i Real Madrid luajti më keq se shokët e tij të skuadrës në “Anfield Road”, duke këmbëngulur se 25-vjeçari është ende në fazën e integrimit në futbollin anglez.

“Ozil po punon shumë fort për t’u adaptuar me Premier League. Për mua ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ai ishte si gjithë të tjerët në disfatën 5-1 ndaj Liverpool-it, ai po punon shumë fort në stërvitje për t’u përmirësuar”, ka thënë Wenger.

Arsenali ka nevojë për të rigjetur soliditetin në mbrojtje për t’u përballur me sulmin e yjeve të Manchester United të mërkurën në mbrëmje, ku do të ketë përballë një lojtar klasi si Robin Van Persie, por Wenger është i bindur se kolapsi i skuadrës së tij në “Anfield” ishte vetëm një episod.