SHPËRNDAJE

Pse zotëroni vetëm një krokodil kur mund të keni mijëra prej tyre?

Kjo ndoshta do të ishte një fjali përmes së cilës do të mund të përshkruanim filozofinë e njeriut të quajtur William Belo.

Bëhet fjalë për njeriun, kompania e të cilit mbizotëron tregun e renovimit të shtëpive në Filipine me 57 dyqane në mbarë vendin dhe i cili ishte në rrugë të mirë për t’u bërë i suksesshëm edhe një biznes tjetër, kur ai vendosi të provonte diçka ndryshe.

E gjitha kishte filluar me një fermë pulash në vitin 1989 si një aktivitet fundjave për Belo. Por erdhi një moment kur ai duhej të kuptonte se si të merrej me pulat që nuk ishin më në gjendje të bënin vezë.

Kështu që, në mesin e viteve 1990, ai mendoi që me këto lloj pulash t’i ushqente tigrat para se të vendoste për krokodilët.

Kështu ai bleu rreth 1.200 prej tyre gjatë tre viteve pasi mësoi se një fermë për ruajtjen e krokodilëve në provincën e Palawan po kërkonte të shesë disa prej aksioneve të saj.

“Plani im ishte thjesht të kisha një fermë me një numër të vogël kafshësh dhe vezë të freskëta për konsum personal”, kishte thënë Belo në një intervistë në Manila. “Por, një gjë çoi në tjetrën dhe ne sollëm krokodilë për të ushqyer pulat që nuk na duheshin”.

Sot ai i rrit racat e tij dhe zotëron rreth 23,000 prej zvarranikëve gjysmë ujorë, për të cilët ai ka gjetur përdorimet më fitimprurëse.

Kjo pasi që, me lëkurat e tyre furnizohen marka luksoze të modës dhe mishi gjendet në një shumëllojshmëri të produkteve ushqimore, duke përfshirë salcice hungareze dhe një pjatë lokale të njohur të quajtur sisig.

Produktet ushqimore shiten nën emrin e markës Dundee.

Belo tani ka dy ferma krokodile, një për mbarështim në 10 hektarë dhe një tjetër që është shtatë herë më e madhe, për grumbullimin dhe administrimin e mbeturinave të kafshëve, përcjell Telegrafi.

Sipërmarrja ka rreth 800,000 pula dhe 5,000 derra, dhe ai shet rreth 2,000 deri në 3,000 lëkura krokodilësh në vit për 200 deri 250 dollarë copa.

“Është e vështirë ta shndërrosh këtë në një shkallë më të madhe sepse ushqimi mund të jetë shumë i shtrenjtë dhe ka çështje të mbarështimit që ndikojnë në cilësinë e lëkurës”, tha Belo. “Ju nuk lejoheni të sillni krokodilë nga vendet e tjera për të rregulluar mbarështimin”.

Çmimi i lëkurës së krokodilit ka rënë për shkak të furnizimit të tepërt të shkaktuar nga kërkesa më e dobët për produkte luksoze nga konsumatorët kinezë, në të cilin vend ekziston gjysma e kërkesës globale për çanta të “nivelit të lartë”.

“Është e vështirë ta rritësh këtë në një industri më të madhe sepse nuk kemi mbarështues dhe tani ekziston një kufi për tregun”, tha Belo.

Megjithatë, ai po bën mirë. Kompania Wilcon po lulëzon në mes të një bum ndërtimi që përfshin vendin nën presionin e infrastrukturës së presidentit Rodrigo Duterte “Ndërto, Ndërto, Ndërto”.

Vlera e projekteve të ndërtimit u rrit me 22% në tremujorin e dytë nga një vit më parë në 123 miliardë pesonë (2.4 miliardë dollarë), me zhvillimet e banimit që llogaritnin më shumë se gjysmën e totalit, sipas Autoritetit të Statistikave në Filipine.

Aksionet e Wilcon me qendër në Manila janë rritur 41% këtë vit, duke tejkaluar avansin prej 2.8% për 262 kompani në Philipine Stock Exchange.

Kjo edhe e ka futur Belon në radhët e miliarderëve të botës.

Ai dhe familja e tij kontrollojnë dy të tretat e Wilcon, duke i dhënë atij një vlerë neto prej rreth 1 miliard dollarë, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg.

Vlerësimi i Bloomberg është “me shumë të ngjarë konservatorë” sepse bazohet vetëm në informacionet që janë në dispozicion të publikut, tha Jean Alger, kreu i marrëdhënieve të investitorëve të Wilcon, i cili nuk pranoi të shtjellojë pasurinë e Belo.

Wilcon synon pronarët e shtëpive me të ardhura të mesme dhe të larta që rregullojnë gjithçka, nga instalimet hidraulike në pllaka dhe rubineta.

Por kush është Belo?

Pas mbarimit të shkollës së mesme, Belo studioi inxhinierinë në Universitetin e Santo Tomas në Manila ndërsa punonte mbrëmjeve në një kompani të furnizimit të ndërtimeve në pronësi pjesërisht të babait të tij.

Në vitin 1977, ai më në fund hapi dyqanin e tij në një hapësirë jo më të madhe se një apartament me një dhomë gjumi dhe punoi për dekada të tëra për të ndërtuar një kompani që tani është shitësi me pakicë kryesor në tregun e renovimit të shtëpive të Filipineve.

Ndërsa Belo vazhdon të shkojë në zyrë pesë ditë në javë, ai tani mbikëqyr biznesin si “kryetar nderi” ndërsa operacionet ditore i kryejnë tre fëmijët e tij.

Kjo i ka dhënë atij “më shumë kohë për t’u çlodhur”, dhe ndoshta do t’i kushtojë më shumë kohë punëve të tjera, si rritja e krokodilëve.