SHPËRNDAJE

Granit Xhaka është shumë krenar që është emëruar kapiten i Arsenalit, përkundër dyshimeve që janë ngritur për kompetencën e tij për ta mbajtur shiritin e kapitenit të “Topçinjve” dhe për rolin e tij në skuadër.

Për ta zgjedhur kapitenin e Arsenalit, lojtarët votuan në mënyrë të fshehtë për zgjedhjet e tyre. Bashkëlojtarët e zgjodhën 27-vjeçarin kapiten dhe Granit Xhaka është shprehur i gatshëm të marrë më shumë përgjegjësi.

Vendimi për t’ia dhënë Xhakës shiritin e kapitenit e ka nxitur një debat të madh. Kritikat më të mëdha u bënë ndaj Emeryt pasi që ai s’e mori vendimin vetë.

Xhaka e sqaroi edhe procesin që përfundoi me zgjedhjen e tij si kapiten të Arsenalit.

“Trajneri na kërkoi neve t’i shkruajmë pesë emra, kë dëshironim ta kishim kapiten. Gjithçka ishte e fshehtë, kështu që nuk kishte emra. Thjesht i shkruam nga pesë kapitenë”, zbuloi Xhaka.

“Në fund, mendoj se skuadra, lojtarët dhe natyrisht trajneri, vendosën se kush do të jetë kapiteni i parë nga ata pesë”.

Xhaka nuk dëshiron të humbasë energji duke folur për kritikët e tij, përderisa është shumë i motivuar që ta dëshmojë se pse e meriton këtë përgjegjësi në Arsenal.

“Jam shumë krenar. Kjo më ka bërë shumë të lumtur sepse, kur erdha këtu, kisha shumë përvojë me ekipin kombëtar të Zvicrës dhe unë isha edhe kapiten në Gjermani gjithashtu”, ka thënë Xhaka për revistën “Arsenal Player”.

“Kur unë erdha këtu, kishte lojtarë të mrekullueshëm, personalitete të mira dhe ishte një hap i madh për mua të jem kapiten edhe këtu. Tani, unë jam kapiteni zyrtar dhe ndihem shumë krenar që jam kapiteni i kësaj skuadre të mrekullueshme”.

Xhaka është duke i ndjekur hapat e figurave të dashura për tifozët e Arsenalit, si Tony Adams e Patrick Vieira. Ai beson se është gati për këtë sfidë dhe mezi po pret ta drejtojë Arsenalit në kampanjat në Premierligë, Ligën e Evropës dhe kupat vendore.

“Natyrisht është e rëndësishme që lojtarët e tjerë besojnë te unë dhe e shohin se sa shumë punoj. Unë jam djalosh që dua t’i marrë të gjithë djemtë së bashku. Ne fitojmë bashkë, humbasim bashkë, fitojmë trofe bashkë, humbin edhe në finale bashkë”, shtoi Xhaka.

“Është e rëndësishme për të gjithë lojtarët – jo vetëm lojtarët e formacionit të parë, por për të gjithë – të cilët janë të ftuar në grupin tonë të jenë të lumtur, të flasin me ne nëse kanë ndonjë problem”.

“Ky është roli i një kapiteni, të jesh i fuqishëm dhe të jesh përpara skuadrës. Unë mendoj se jam person i tillë, i cili mund të qëndrojë përpara skuadrat gjatë kohëve të mira, por edhe gjatë kohëve të vështira”.

Arsenali do të kthehet në fushën e blertë sonte me ndeshjen kundër Standard Liege të Mërgim Vojvodës, në kuadër të Ligës së Evropës.