SHPËRNDAJE

Selver Lenjani, përfaqësues i fshatit Karaqevë thotë se të martën, rreth mesditës, janë parë forca të xhandarmërisë serbe, të cilët kanë hyrë tek vendi i quajtur “Uji i çeshmes ”, që ndodhet disa metra në territor të Kosovës.

Lenjani tha se aktualisht banorët janë grumbulluar për të ikur nga provokimet e mundshme duke bërë apel që KFOR-i të patrullojë në pjesën kontestuese.

Xhandarmëria serbe e cila ditëve të fundit ka zhvilluar aktivitete pothuajse përgjatë tërë vijës kufitare me Kosovën, të martën është parë më e gjallë, pasi që ka hyrë sërish në brendi të territorit të Kosovës, raporton “rajonipress”.

Lenjani tha se për tërë këtë patrullim të xhandarmërisë serbe e kanë të njoftuar edhe KFOR-in, të cilët edhe e kanë vizituar Karaqevën.

“Unë e kam thënë edhe njëherë në mënyrë ironike që kryeministri Thaçi le të vije në Karaqevë dhe të bëjë selfije se këtu vërtet është nxehtë. Jemi pjesë e Kosovës dhe meritojmë një tretman institucional, pasi që këtu mbrohet Kosova e jo Kamenica, siç po pretendon dikush”, tha Lenjani.

Lenjani tha se xhandarmëria serbe vazhdon të mbetet e koncentruar në pikën e Ugarit, Stani i Malushit, Guri i bardhë, Roga, Çuka dhe varrezat e Spahoviqe.

“Këto pika mbeten problem i përhershëm dhe ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe vet komanda e NATO-së, që ta shfrytëzojnë autoritetin, dhe njëherë e përgjithmonë ta largojnë këtë rrezik permanent”, tha Lenjani.