SHPËRNDAJE

Doli nga shtypi libri i karakterit monografik me titull “Yzeir Sadiku plagë ashti e popullit tim” i autorit Hasan Emërllahu.

Brenda librit në fjalë lexuesi mund të lexojë ngjarje me fakte, lidhur me vdekjen e ushtarit nga fshati Rahovicë i Preshevës, Yzeir Sadiku, i cili ishte duke shërbyer në armatën Jugosllave në qytetin e Splitit në Kroaci.

Protagonisti i librit, Yzeir Sadiku, ishte një intelektual, një atdhetar i pashoq, pjesëmarrës në demostratat studentore të ’81-shës, për të drejtat e shqiptarëve për vetvendosje, nga e cila ishte i dënuar me 60 ditë burg, por ai nuk arriti ta shlyej “dënimin” pasiqë shkoi në shërbim të detyrueshëm ushtarak në qytetin bregdetar të Splitit, nga i cili u kthye i vdekur.

Autori i librit, Hasan Emërllahu, paraqet një tabllo me material shumë prekës dhe emocional për lexuesin, duke rrugëtuar kështu nëpër ngjarje të vërteta, të cilat i kishin ndodhur ushtarit dhe patriotit, Yzeir Sadikut.

Që nga ëndrra e trisht e nënës së Yzeirit e deri te telegrami i zi i cili ishte tregues i qartë për gjendjen faktike të ushtarit, i cili ishte në mes jetës dhe vdekjes, apo më mirë themi luftonte me vdekjen dhe gjendjes së vështirë emocionale dhe shpirtërore të vëllait të tij Ademit që nga marrja e telegramit dhe udhëtimit të tij për në Split.

Ballafaqimi i tij me mjekët kujdestarë të spitalit dhe me eprorët e tij në kazermën ku kishte shërbyer Yzeiri.

Ky kapitull ngjallë dhembje shpirtërore për secilin lexues dhe s’mund t’i shmanget as lotimit, sepse e tillë ishte kjo ngjarje tejet rrëqethëse.

Pjesa e dytë e librit, titullohet /Të tjerët për Yzeir Sadikun/, ku me shkrimet e tyre paraqiten figura të ndryshme si: Adem Demaçi, Shaqir Shaqiri, Mexhid Mehmeti, Zeqirja Fazliu, Ali Aliu, Xheladin Zeka, Bedri Sadiku, Nehas Sopaj, Islam Maliqi, Sazan Papraniku, Shaban Jashari, Reshat Avdiu, Fehmi Ramadani dhe Sadik Sadiku.

Ky libër i karakterit monografik për ushtarin Yzeir Sadikun, është një histori dhembjeje dhe rikujtese, jo vetëm për këtë personazh të librit, por edhe për të gjithë ushtarët tjerë shqiptarë të kthyer në arkivole nga ushtria Jugosllave.

Libri në fjalë vlenë të lexohet, të rilexohet dhe të vazhdohet të shkruhet në mënyrë që të mbesin të shkruara këto ngjarje trishtuese nga një kohë e pa kohë, që ngjallnin dhembje dhe trishtim tek shqiptarët…