SHPËRNDAJE

12 të vdekur e 48 të plagosur është momentalisht bilanci i ngjarjes së mbrëmjes së djeshme në Berlin, ku një kamion i tipit TIR hyri me shpejtësi të madhe në një market krishtlindjesh në qendër të qytetit në lagjen Charlotenburg.

“Për momentin nuk dua të përdor fjalën atentat, dhe pse mjaft të dhëna na bëjnë ta mendojmë se është i tillë”, ka deklaruar ministri i brendshëm gjerman Thomas de Maizie’re. Sipas Policisë gjermane në momentin e ngjarjes në automjet ndodheshin dy persona. Një prej tyre, me origjinë polake, ka mbetur i vdekur në momentin e përplasjes, ndërsa personi i dytë është arrestuar nga autoritetet gjermane, dhe dyshohet se është i kombësisë pakistaneze ose afgane. Ky person u arrestua rreth 2 km larg nga vendngjarja, ndërsa përpiqej të largohej dhe është rezident në Berlin, i njohur nga autoritetet gjermane.

TIR ishte nisur nga Italia

Agjencitë e Informacionit informojnë se automjeti i tipit TIR ishte me targa polake, në pronësi të një shoqërie transporti po polake. Automjeti ishte nisur një ditë më parë nga Italia e transportonte skele hekuri në Gjermani. Do të ndalej një natë në Berlin për t’u rikthyer sot në Poloni. Pronari i shoqërisë polake të transportit Ariel Zurawski për kanalin televiziv TVN24 ka deklaruar se automjeti drejtohej nga kushëriri i tij me të cilin kishin pasur kontakte telefonike deri në orën 16.00 të ditës së djeshme. Më pas nuk kishin mundur më të kontaktonin me të. Sipas Zurawski, drejtuesi i automjetit nuk ka lidhje me këtë ngjarje dhe se kamioni do jetë drejtuar nga personi i dytë që ndodhej në bordin e tij.

Atentat terrorist? Policia gjermane me anë të uebsajtit të tyre dhe faqeve zyrtare në rrjetet sociale ka deklaruar se mjaft të dhëna na çojnë të mendojmë se është një atentat terrorist. Ajo ka ftuar berlinezët të mos lëvizin e të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Sipas të përditshmes britanike The Sun, ISIS ka njohur autorësinë e atentatit në Berlin, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet gjermane.