SHPËRNDAJE

Që nga themelimi i koalicionit në pushtet APN-PVD ka pasur thashetheme për mosmarrveshje. Madje kryetarët e Partive në pushtetë APN z.Shqiprim Arifi si dhe ai i PVD-së z. Riza Halimi kishin hedhur poshtë akuzat përmes një interviste në RTV Presheva duke shfaqur harmoni dhe marrëveshje mes tyre. Tani këto thashetheme kanë marrur një dimenzion tjetër, pasi është publikuar një kumtesë jo-zyrtare e zv. Kryetarit Xhelal Mehmeti në portalin e tij, ku ka shfaqur paknaqësinë e tij me partnerin e APN. Sipas kësaj kumtese kryetari i komunës z.Shqiprim Arifi, nga rradhët e APN-së po i pengon sukseset dhe marrëveshjet e bëra nga përfaqësuesit e PVD-së dhe me çdo kusht po mundohet të i stagnojë proceset.

Konkretisht Kryetari i Komunës Arifi sipas deklaratës akuzohet për pengesë në implementimin e marrëveshjes të binjakëzimit të komunës së Preshevës me atë Osmangazi nga Turqia.

Se a është kjo paknaqësi e zv.Kryetarit Mehmeti edhe qëndrim zyrtarë i PVD-së ende nuk është e qartë për opinion. Burimet anonime të presheva.com pranë PVD-së janë shprehur se kjo nuk ka asgjë të bëjë me opinionin e kryetarit të PVD-së z.Riza Halimi, dhe se deklarata e zv. Kryetarit Mehmeti ka qenë nën afekt dhe e ngutshme.

Sipas tyre Mehmeti ka propozuar që në kuvendin komunal të diskutohet dhe të mirren hapat e para për binjakëzimin e Preshevës me Osmangazi-n e Turqisë, kurse partnerët në koalicion kanë qenë të mendimit se ky hapë është shumë i hershëm pasi nuk ishte e qartë se binjakëzimi do të bëhet me Osmangazi-in apo një komunë tjetër afër qytetit Bursa, gjithashtu zyrtarët e Komunës së Preshevës janë ftuar përseri nga homologet e tyre për t`i kordinuar hapat e mëtutjeshem për binjakëzimin e komunave tona.

Artikulli në fjalë nuk është nënshkruar nga askush dhe mbyllet me pyetje ironike se «A ishte ky “Ndryshimi” i nevojshëm apo ishte vetëm një slogan i domosdoshëm parazgjedhor !?». /presheva.com/