SHPËRNDAJE

Në Zvicër po diskutohet nëse duhet të hiqen disa nga pyetjet e vështira që përmban testi për marrjen e shtetësisë, pasi që një vajzë 25 vjeçe – që ishte rritur në Zvicër – nuk arriti ta kalonte këtë test, duke bërë që të mos kualifikohej për pasaportë zvicerane.

Funda Yilmaz kishte lindur në Zvicër nga prindër turq. Ajo aplikoi për shtetësi, por paneli shtetëror nuk ia miratoi kërkesën, me arsyetimin se ‘ajo nuk tregon interesim për të hyrë në dialog me zviceranët dhe popullatën e saj’. Prej gjërave që ajo nuk i kishte shumë të qarta, paneli vlerësues veçoi mbajtjen në mend të disa shitoreve lokale, apo mungesën e njohurive për një sport që në Zvicër quhet me emrin ‘Hornussen’.

Për presidentin e Turqisë, Erdogan, Yilmaz tha se po bëhet gjithnjë e më shumë diktator. Ajo tregon se si gjatë intervistave për nënshtetësi ajo u pyet nëse prindërit e saj ia kishin pranuar të dashurin turk. Ajo tha se familja e saj ishte e hapur dhe se asnjëherë nuk kishte qenë në xhami, ndërsa në kishë kishte shkuar disa herë.

Që prej daljes së këtij rasti, opinion zviceran ka bërë thirrje për reformim të sistemit vendor për natyralizim të qytetarëve me prejardhje të huaj. Gazeta ‘Tagesanzeiger’ shkruan se ky proces ka marrë natyrë arbitrare dhe se nuk është sa duhet transparent.

Një numër çështjesh të këtij lloji kanë tërhequr vëmendjen e opinionit. Një familjes kosovare në maj të vitit 2016 i ishte refuzuar aplikacioni për shtetësi, pasi fqinjtë e tyre ishin ankuar se ata po vishnin tepër shpesh veshje sportive dhe po shëtiteshin me to nëpër qytetin e Baselit. Familja kosovare kishte kohë që jetonte në Zvicër.