SHPËRNDAJE

Pas 18 muajve në postin e trajnerit të Arsenalit, Unai Emery është shkarkua zyrtarisht nga posti i tij. Lajmin e ka konfirmuar faqja zyrtare e klubit londinez.

Ecuria e dobët e Arsenalit këtë sezon, që vazhdoi edhe mbrëmë në Ligën e Evropës me disfatën me rezultat 2:1, bëri që pasardhësi i Arsene Wengerit, Unai Emery të shkarkohet nga posti i trajnerit.

“Ne sot lajmërojmë që është marrë vendimi për t’i ndarë rrugët me trajnerin Unai Emery dhe stafin e tij të trajnerëve”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Arsenali.

Duke folur në emër të bordit drejtues të Arsenalit dhe pronarëve, Josh Kroenke tha: “Falenderimet e tona më të sinqerta shkojnë për Unain dhe kolegët e tij, që ishin të palodhshëm në tentimet e tyre për ta kthyer klubin në nivelin që ne e kërkuam. U urojmë Unai dhe stafit të tij sukses në të ardhmen”.

Në këtë deklaratë sqarohet se vendimi është marrë për shkak se rezultatet dhe paraqitjet e Arsenalit gjatë këtij sezoni nuk kanë qenë në nivelin e dëshiruar.

Postin e trajnerit të përkohshëm në Arsenal tani do ta mbajë Freddie Ljunberg, tek i cili klubi tha se ka besim të plotë se do ta çojë ekipin përpara.

“Tashmë ka filluar kërkimi për një trajner të ri dhe ne do lajmërojmë sërish kur ky proces të kompletohet”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga klubi.

48-vjeçari Emery ishte emëruar trajner i Arsenalit më 1 korrik të vitit 2018. Gjatë periudhës sa ka qenë në këtë post, ai i ka fituar 43 ndeshje, i ka barazuar 15, ndërsa i ka humbur 20.

Në anën tjetër, Ljunberg ishte pjesë e Arsenalit si futbollist nga 1 shtatori i vitit 1998 deri më 1 korrik të vitit 2007. Pasi i dha fund karrierës së tij si futbollist, ai ishte pjesë e Arsenalit në disa postë të ndryshme si përfaqësues i klubit, trajner i ekipit të të rinjve, trajner i ekipit U-23 dhe ndihmëstrajner. Tani ai do ta ushtrojë detyrën e trajnerit të ekipit të parë përkohësisht.