SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviq deklaroi sot, se në rast vizite të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në Luginën e Preshevës, do të sillet në pajtim me vendimet e gjykatave.

I pyetur nëse Serbia në rast të vizitës së Thaçit do të veprojë diplomatikisht apo do të arrestohet sipas aktakuzave serbe, ai tha se Serbia është një vend ku ka sundim të ligjit.

“Ne kemi detyrat e gjykatave tona që duhet të respektohen, dhe MPB do të veprojë me urdhrin e gjykatës. Nuk ka asgjë për të shtuar këtu,” tha Stefanoviq.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar sot me liderët e Luginës së Preshevës, nga të cilët ka marrë ftesë për vizitë në Luginë, por ai është përgjigjur se “Beogradi nuk e sheh të dobishme vizitën e tij në Luginë”.

“Kur e kam vizituar Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, nuk e kam vizituar me leje të Serbisë, por kam qenë aty me kauzën tonë për të drejta të shqiptarëve. Tash jemi në një rrethanë tjetër. Ju e dini se unë jam i dënuar në mungesë nga Serbia. Unë nuk e kam kërkuar atë falje. Unë nuk mund të marr kufijtë për ballafaqim fizik me Serbinë. Kur ka qenë koha, e ballafaqimit ia kam treguar vendin me bashkëluftëtarët e mi. Mua më ftuan ta vizitojë Luginën e Preshevës, por rrethanat janë të ndryshe, Beogradi nuk e sheh të dobishme vizitën atje”, tha Thaçi.