SHPËRNDAJE

16-vjeçarja Lorena Beadini ishte e para që doli në skenë. Me interpretimin e saj të këngës së Meghan Trainors “All About That Bass”, ajo mahniti të gjithë anëtarët e jurisë. Beadini e ka ditur për një kohë të gjatë se dëshiron të provojë veten si këngëtare.

Në moshën gjashtëvjeçare ajo kishte dhënë koncertin e saj të parë, transmeton albinfo.ch. Pra, asaj nuk i mungon përvoja skenike. E megjithatë atë e rrëmbyen emocionet para se të dilte në skenë.

“Zakonisht nuk kam emocione”, thotë Beadini. Por, në këtë skenë kishte diçka që ndryshonte dhe kjo është e kuptueshme. Lorena po këndonte para emrave të mëdhenj të muzikës zvicerane, si DJ Antoine, Anna Rossinelli, Noah Veraguth dhe “Büetzer Buebe”, Gölä dhe Trauffer.

Ndërkaq, Beadini nuk lejon të hutohet nga të famshmit e pranishëm dhe performanca e saj ishte një nga më të suksesshmet. Talenti i saj qe aq i dukshëm, sa nuk kaloi as një minutë para se secili nga katër anëtarët e jurisë të shtypte butonin jeshil, për t’i sinjalizuar asaj se donte ta kishte Lorenën në ekipin e vet.

E mbuluar nga lëvdatat, ajo tashmë ndodhej në dilema: kë ta zgjidhte. DJ Antoine provoi ta “korruptonte”, duke i dhuruar një trëndafil për ta joshur në ekipin e vet, por Lorena u përcaktua për ekipin e Anna Rossinelli-t. Për të vazhduar garën, Lorena Beadini në raundin e ardhshëm duhet të këndojë duet me njërin nga garuesit e tjerë.