SHPËRNDAJE

Sot, më 2 Mars është Dita e Gjimnazit – 59 vjetori i hapjes së paraleleve në Preshevë. Shtatori i vitit 1961 ishte ngjarje e veçant për popullatën e komunës së Preshevës pasi u vendos për hapjen e paraleleve të ndara të gjimnazit “ Bora Stankoviq “ të Vrajës.

Interesimi i nxënësve për hapjen e një shkolle të mesme 4 vjeçare ishte i madh, prandaj strukturat udhëheqëse komunale dhe disa intelektual bën kërkesë në organet më të larta për hapjen e paraleleve të gjimnazit.

Drejtoria e gjimnazit të Vrajës vendosi hapjen e dy paraleleve, një në gjuhën serbe me 38 nxënës, dhe një në gjuhën shqipe me 39 nxënës, por mësimi filloi me vonesë, me 25 shtator 1961 për shkak të mungesës së kuadrit mësimor dhe lokalit.

Pasi interesimi i nxënësve shqiptar ishte i madh, atëherë prindërit e nxënësit bënë kërkesën në drejtori dhe ajo vendosi hapjen e paraleles së tretë me 38 nxënës në gjuhën shqipe dhe mësimi filloi me 12 tetor 1961. Kuadri arsimor ishte më tepër nga gjimnazi i Vrajës dhe vetëm 4 mësimdhënës ishin shqipëtar si psh : Mehmet Jusufi, Adem Ahmeti, Xhemal Ramadani dhe Hulusi Ibrahimi. Vitin shkollor 1964/65 u bë pavarsimi i gjimnazit në Preshevë, me emrin “ Zora Socializma “ .

Në vitin 1968 kolektivi i gjimnazit bëri kërkesë në organet shtetërore për ndrrimin e emrit nga “ Zora Socializma “ në “ Skëndëbeu “ . Kërkesa aprovohet dhe nga 4 prilli 1968 gjimnazi mban emrin e heroit kombëtar – Skëndërbeut, e që e mbajti deri në maj të vitit 1989.

Në vitin shkollor 1974/75 u bë bashkimi i gjimnazit me Qendrën Shkollor dhe u formua Qendra Arsimore. Në fund të viteve 80-ta Q.Arsimore “ Skëndërbeu “ ishte në shënjestër të politikës ditore dhe e etiketuar si “ Çerdhe e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar“ ku zhvillohet i ashtuquajturit diferencimi ideopolitik ndaj 31 profesorëve dhe në qershor të vitit 1989 u përjashtuan nga puna 11 profesor pa të drejtë pune në arsim. Kuvendi komunal kishte vendosur ndrrimin e emrit të Q.Arsimore nga “Skëndërbeu “ në “ 25 Maji “ pa pëlqimin e punëtorëve, nxënësve dhe prindërve.

Mirëpo me ndryshimin e rrethanave që ndodhën pas konfliktit të vitit 1999 kolektivi i gjimnazit i bëri kërkesë organeve të Ministris së Arsimit pë rrikthimin e emrit të Skëndërbeut dhe kjo ministri në korrit të vitit 2006 e aprovon kërkesën dhe pas 17 viteve rrikthehet emri i gjimnazit.

Nga 1 shtatori 2006 gjimnazi emërtohet zyrtarisht me emrin e Skenderbeut .

Pastaj caktuan ditën e gjimnazit – 2 Marsin dhe për herë të parë në mënyrë solemne kremtuam më 2 Mars 2007. Me 2 Mars të vitit 2008 vendosëm bustën e Skëndërbeut në oborrin e gjimnazit.

Kontributi i gjimnazit të Preshevës është i madh edhe në hapjen e paraleveve në Tërrnoc në vitin 1968 dhe në Bujanoc në vitin 1998.

Kontributi tjetër është se nga kjo vatër e arsimit dolën kuadro të mirëfillta nga të gjitha lëmit, pra nga ai me shkollë të mesme e deri te akademiku.

Drejtorisë, punëtorëve dhe nxënësve të Gjimnazit “ Skenderbeu “ iu dëshirojm punë të mbarë, rritjen e numërit të nxënësve e suksese në mësime dhe të festojnë 2 Marsin me vite dhe shekuj. Shkruan profesori i historisë Abdurrahman Zulfiu./presheva.com/